Enigma koreano-veriore

Enigma koreano-veriore

Ngado të kthehesh, zgjidhja përfshin një asgjësim. Pyetja ëstë kush do të asgjësohet?

Më 7 nëntor, Donald Trump ishte në Seul. Ishte dita e parë e udhëtimit të tij në Azi, që kishte si temë kryesore ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut. Presidenti amerikan dukej optimist.

“Unë shoh se disa gjëra po lëvizin,” tha ai, duke folur për “përparim të madh”. Dhe dje, lëshimi tjetër i një rakete nga Korea e Veriut ndodhi në ujërat japoneze. Testi balistik është një gjest sfidues i Phenianit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës, ndërsa Trump thjesht premtoi se do ta “menaxhojë situatën”. Bota ka reaguar me kujdes, sepse historia e Koresë së Veriut është një enigmë.

Ne mund të supozojmë se regjimi i Kim Jong-un nuk ka plane që të djegë askënd dhe se qëllimi i tij i vetëm është që të sigurojë mbijetesën, duke dekurajuar çdo përpjekje për ta përmbysur atë, pra duhet të mësohemi me idenë se së shpejti, ai mund të ketë në zotërim raketa bërthamore.

Është një pikëpamje logjike. Dhe përtej deklaratave publike, mjaft të moderuara, është i njëjti këndvshtrim i presidentit të Koresë së Jugut, i cili nuk ka dëshirë që një sulm ndaj objekteve bërthamore, të shtyjë Korenë e Veriut që të varrosë Seulin nën një breshëri bombash.

Nuk ka zgjidhje të thjeshta në këtë krizë, por të pranojmë për një moment se kjo pikëpamje mbizotëron, edhe pse nuk është e mirëqenë.

Perspektivat

Koreja e Veriut do të bëhet një fuqi bërthamore në të gjitha aspektet. Shumë vende të tjera, jo vetëm Irani, por të gjitha diktaturat dhe demokracitë që do të ndjeheshin të kërcënuara me ose pa të drejtë, do të mendonin se do të ishte e mjaftueshme të tregonin të njëjtin guxim si Pheniani, për të zotëruar armë atomike. Koreja e Veriut do t’i ndihmonte këto vende, natyrisht kundrejt pagesës. Brenda pak vitesh, numri i fuqive bërthamore mund të katërfishohet dhe mundësia (tashmë e pranishme në Pakistan) që një grup terrorist të shtjerë në dorë armë atomike, do të krijonte një problem të madh ndërkombëtar për sigurinë.

Ky skenar është po aq shqetësues, sa rreziku i një asgjësimi të Seulit. Është për këtë arsye që ka njerëz, jo luftënxitës të thekur, por shpirtra të qetë dhe racionalë, që janë të bindur se nuk duhet pritur as edhe një ditë më shumë, për t’i dhënë fund me forcë, programit bërthamor të Phenianit, shkruan bota.al.

Kur koreano-veriorët me të vërtetë do mund ta përdorin bombën, do të jetë tepër vonë, thonë ata. Një sulm vendimtar mund të shmangë kundërgoditjet nga Koreja e Veriut dhe diktatura e saj e egër dhe e neveritshme nuk do t’i mbijetonte humbjes. Në letër është zgjidhje po aq logjike. Por, sigurisht, realiteti është tjetër gjë.