Engel thotë se vota e Senatit për Malin e Zi në NATO është largim i saj nga Rusia

29.03.2017 23:01
Engel thotë se vota e Senatit për Malin e Zi në NATO është largim i saj nga Rusia

Kongresmeni amerikan Eliot L. Engel, nënkryetari demokrat i Komsionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë tha të mërkurën se vota e së martës në Senat në mbështetje të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, “është një lajm shumë i mire për Malin e Zi dhe për aleancën”.

“Ky votim tregon se senatorët nga të dyja palët e hedhin poshtë idenë qesharake se NATO-s ‘i ka ikur koha’. Përkundrazi, aleanca ka rëndësi kritike për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë nga agresioni i Putinit”, shprehet ai në një deklaratë.

Kongresmeni Engel shton se NATO-ja duhet ta vazhdojë politikën e dyerve të hapura në të ardhmen.

“Tani që Mali i Zi është ka hyrë në rrugën e anëtarësimit të plotë në NATO, shpresoj që edhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit të kenë mundësinë të anëtarësohen në aleancë”, thotë zoti Engel.

Senati amerikan mbështeti me shumicë votash anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me shpresë se ka dërguar një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’u kundërvihen përpjekjeve të Rusisë për të shtuar ndikimin e saj në Evropë.

Nëntëdhjeteshtatë senatorë votuan në favor të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa dy ishin kundër. Ratifikimi kërkonte dy të tretat e votave të 100 anëtarëve të senatit.

Ende nuk dihet se kur mund të pritet nënshkrimi i presidentit Donald Trump, që është hapi i fundit për ratifikimin e anëtarësimit nga Shtetet e Bashkuara.

Mali i Zi është në mes të përplasjeve ndërmjet perëndimi dhe Rusisë mbi ndikimin në Ballkan. Rezultati mund të përcaktojë orientimin e rajonit: drejt NATO-s e Bashkimit Evropian apo prapa në sferën ruse të ndikimit. Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në Ballkan.

Anëtarësimi i Malit të Zi duhet të ratifikohet nga 28 vendet anëtare të NATO-s para bashkimit formal të tij në aleancë, Vetëm tri vende anëtare nuk e kanë përmbyllur miratimin.