Engel: Millosheviqi na pengoi t’i organizonim zgjedhjet më 1996 në Kosovë

Engel: Millosheviqi na pengoi t’i organizonim zgjedhjet më 1996 në Kosovë

Kongresisti amerikan Eliot Engel, i cili njihet si mik i shqiptarëve, është shprehur shumë i lumtur që në Republikën e Kosovës sot organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ai ka thënë se, qysh më parë e ka thënë se Kosova do të jetë e pavarur.

“Është kënaqësi e vërtetë të jem këtu në një Kosovë të lirë dhe të pavarur. E kam thënë shumë dekada më parë se Kosova do të jetë një vend i lirë dhe i pavarur”, ka thënë Engel, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Ai ka treguar për kohën kur ishin munduar t’i organizonin zgjedhjen në Kosovë më 1996, por autoritetet serbe nuk e kishin lënë të hyjë në Kosovë.

“Jemi përpjekur që t’i organizojmë zgjedhjet në vitin 1996, por autoritetet serbe nuk më kanë lënë të hyj në Kosovë”, e ka kujtuar atë kohë kongresisti amerikan Engel.

“Por sot jemi në një Kosovë të pavarur dhe unë jam krenar qe jam këtu. Po ashtu, jam shumë krenar që Kosova e ka një partneritet të veçantë me ShBA-në”, ka shtuar më tej ai.

“Ta dini që ShBA-ja do të jetë gjithmonë këtu për t’ju mbështetur”, ka thënë tutje ai.

Ai shprehet i lumtur që në Kosovë mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike, duke shtuar se këtë luks nuk mund ta gjesh në secilin vend.

“Është shumë emocionuese të jem këtu në zgjedhjet e pavarura dhe demokratike, dhe ky nuk është një luks që mund ta gjejmë në çdo shtet”, ka thënë Engel.

“Unë i gëzohem faktit kur Kosova një ditë do të jetë anëtare e OKB-së. Faleminderit që gjithmonë më pritni kaq ngrohtë. Kosova është shtëpia ime e dytë”, ka përfunduar ai./Insajderi.com