Ende pa u bërë dy muaj punë, ministrja blenë telefona të rinj për kabinetin e saj

29.03.2017 18:18
Ende pa u bërë dy muaj punë, ministrja blenë telefona të rinj për kabinetin e saj

Në detyrën e ministres së Integrimeve ishte emëruar në Ditën e të Dashuruarve me 14 shkurt.  Një muaj pas marrjes së detyrës, Mimoza Ahmetaj, mori një vendim si ministre e Integrimeve Evropiane: bleu telefona të mençur për kabinetin e saj

Pa u bërë ende dy muaj që kur mori postin e ministres së Integrimeve Evropiane, stafi i kabinitetit të Mimoza Ahmetaj, do të bëhen me telefona të mençur.

Kësisoj ajo ka filluar të kujdeset për “integrimin” e zyrës së saj që do të duhej të punonte për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ministria e Integrimeve në vendin më të izoluar në Evropë, sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës së publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, tenderin e ka fituar një kompani që merret me printim “Europrinty”.

Tenderi “Furnizim me telefona të mençur për KM (kabinetin e ministres)” pa shpjeguar llojin e telefonave të blerë kap shumën prej 1 mijë e 210 eurove.

Para se të bëhej ministre, Ahmetaj ka qenë Ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës. Nga kjo pozitë, ka mbuluar Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Luksemburgun.

Para emërimit në pozitën e Ambasadores në Belgjikë, Ahmetaj ka shërbyer si Ambasadore e Kosovës në Slloveni.

Më parë, Ahmetaj ishte këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Para punës në Kabinetin e Kryeministrit, ishte Deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës./Insajderi.com