Ende nuk ka përfunduar asgjë – Haradinaj poston fotografi me tortë për vizat

Ende nuk ka përfunduar asgjë – Haradinaj poston fotografi me tortë për vizat

Në Odën e Ekonomike të Kosovës sot është kremtuar rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarë të Kosovës. Aty Kryeminsitri është pritur me tortë.

Foton nga ky manifestim në Facebook e ka publikuar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Megjithatë, siç tha dje Komisioni Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos, liberalizimi i vizave do të ndodhë vetëm pas votimit në Parlamentin Evropian dhe pastaj vendimit të Këshillit të Evropës.

“Është në duart të Parlamentit Evropian. Raporti është një konfirmim se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Por kjo nuk garanton lëvizjen e lirë, ende. Por jemi shumë afër ta arrijmë këtë”, ka deklaruar ai.

Shkrimi i plotë i kryeministrit:

“Liberalizimi i vizave, qytetarëve të Kosovës ua lehtëson jetën, dhe veçanërisht është lajm i mrekullueshëm për bizneset në vend.

Në vizitën e sotme në Odën Ekonomike të Kosovës, rikonfirmova përkushtimin e Qeverisë për të rritur parametrat në ekonomi, si dhe për të vazhduar partneritetin me sipërmarrësit dhe bizneset.

Bizneseve në vend me ndërtimin e termocentralit “Kosovës së Re” u garantohet stabilitet energjetik. Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore që na lidhë me shtetet fqinje e më gjerë. Komunave u kemi siguruar hapësirë të veçantë për zona ekonomike. Kurse, politikat fiskale i kemi ndër më të mirat në rajon.

Ekonominë po e orientojmë drejt partnerëve tanë strategjikë dhe me lëvizjen e lirë në vendet e BE-së do të fuqizohen lidhjet ekonomike me Europën”.