Ende kërkohet princesha e zhdukur

Ajo dy herë ka tentuar të arratiset nga Emiratet, e në xhirim ka porositur: “Nëse e shihni këtë, atëherë ose kam vdekur ose jam në situatë shumë të keqe”.

Ende kërkohet princesha e zhdukur

Pricesha Latifa Bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum është vajza e sheikut Mohammed bin Rashid Al Maktoum, zëvendës presidentit dhe kryeministrit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtarit të emiratit të Dubait. Kjo princeshë kërkohet tashmë me muaj pasi i janë humbur të gjitha gjurmët, ndërsa aktivistët për të drejtat e njeriut, pas zhdukjes së saj e kanë publikuar video xhirimin e incizuar para tentimit të arratisjes nga vendi në të cilin thekson se frikohet për jetën e saj.

Në video, për të cilin i kishte thënë avokatit të saj që ta publikojë në rast të zhdukjes apo vdekjes së saj, Latifa pretendon të gjitha arsyet për të cilat ka vendosur për arratisje të sërishme. Latifa para katër muajve e gjysmë ka tentuar të arratiset nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga kontrolli i babait të saj sundimtarit të Dubait. Ky nuk ishte tentimi i parë i saj për arratisje nga vendi, për herë të parë ajo ka tentuar në vitin 2002, por së shpejti është burgosur dhe torturuar për tri vite. Ndërsa arratisja e dytë kishte shkuar edhe më keq.

Kjo 32 vjeçare tentoi ta braktisë vendin me jahtin luksoz të një ish spiuni francez. Mirëpo njësitet speciale të armatosur hynë në jaht, e rrahën ekuipazhin dhe e kthyen princeshën në Dubai. Prej atëherë i është humbur çdo gjurmë.

Një prej shefeve të organizatës për drejtat e njeriut ka zbuluar se princesha e ka thirr pasi burrat e armatosur kanë hyrë në jaht.

“Më ndihmoni …. dëgjoj të shtëna… ju lutem më ndihmoni”, ka arrit të thotë para se lidhja ishte ndërprerë.

Në video shihet ajo duke thënë: “Nëse e shihni këtë video, kjo nuk është gjë e mirë – kjo do të thotë që ose kam vdekur ose jam në situatë shumë të keqe”, ka porositur princesha në video të cilin e ka publikuar një organizatë britanike për drejtat e njeriut./Insajderi.com.