Elmi Reçica njofton se e ka takuar sot një artist dhe se e çmon punën e tij

Elmi Reçica njofton se e ka takuar sot një artist dhe se e çmon punën e tij

Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një kumtese për media, ka njoftuar për një takim të pazakonshëm të deputetit të PDK-së, Elmi Reçicës.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Reçica ka  takuar artistin shqiptar të mozaikëve, me famë botërore, Saimir Stratin.

“Z. Strati e njohu kryetarin Reçica me veprimtarinë e tij artistike, të veçantë e të njohur ndërkombëtarisht, të vlerësuar lart nga kritika botërore. Fituesi i disa çmimeve Guinness, Strati, theksoi përkushtimin për të promovuar, nëpërmjet veprave të tij artistike, vlerat kombëtare, duke i bërë ato të njohura anekënd botës”, thuhet në këtë komunikatë.

Po ashtu, Strati ka kërkuar mbështetje më të madhe për artin nga politika dhe institucionet.

Ndërkaq, Reçica e ka vlerësuar lartë artin që kultivon Strati. E ka quajtur vlerë të rrallë unike.

“Artistë të tillë arti duhen mbështetur nga të gjithë, sepse, siç tha ai, ata përbëjnë misionin më të mirë përfaqësues të një shteti dhe kombi”, ka pohuar Reçica. Prej të gjitha punimeve, Reçica ia ka lavdëruar Stratit portretin e portretin e humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza, të punuar në kopsa teli.  Ndërkohë, sonte në Muzeun Kombëtar të Kosovës, organizohet ceremonia e rekordit të 10-të Guinness, nga artisti Saimir Strati.