Elizabeta II sot feston ditëlindjen

Elizabeta II sot feston ditëlindjen

Elizabeth Alexandra Mary Windsor, ose Mbretëresha Elizabeta II, sot feston ditëlindjen e 91-të, ndërsa gjatë mbretërimit të saj ajo ka parë mbi 150 kryeministra në shtetet të cilat e pranojnë atë si monarke, prej të cilëve 13 në Britani.

Që kur mbretëresha Elizabeta II është ngjitur në fron, në Britani kanë kaluar 13 kryeministra, duke filluar nga Winston Churchill e deri te Theresa May.

Krahas Britanisë, Elizabeta II është monarke edhe e disa shteteve të mëdha dhe të vogla, në mesin e të cilave gjenden Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Xhamajka dhe Papua Guinea e Re. Nëse merren parasysh të gjitha këto shtete, atëherë numri i kryeministrave që kanë kaluar nën mbretërimin e saj kalon mbi 150, njofton AA.

Kur mbretëresha erdhi në fron në vitin 1952, Joseph Stalin ende ishte lider i Bashkimit Sovjetik, ndërsa presidenti i SHBA-ve ishte Harry Truman. Ceremonia e kurorëzimit të mbretëreshës në vitin 1953, u bë ceremonia e parë e kurorëzimit e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Gjatë qëndrimit të saj në fron filloi dhe përfundoi Lufta e Ftohtë dhe u ndërtua dhe u rrënua Muri i Berlinit.

Tradicionalisht, mbretëresha çdo vit feston dy ditëlindje, një të vërtetë dhe një zyrtare. Gjithsesi, ajo ka lindur më 21 prill të vitit 1926.

Elizabeta, e cili u bë mbretëreshë më 6 shkurt të vitit 1952, mban epitetin si monarkja që ka qëndruar më së shumti në fron në historinë e Britanisë.

Në vitin 2015, kur ishte në moshën 89-vjeçare, Elizabeta theu rekordin për qëndrimin më të gjatë në fron, të cilin e mbante mbretëresha Viktoria.

Qëndrimi rekord i mbretëreshës në fron, në të njëjtën kohë, ka bërë që i biri i saj 68 vjeçar, princi i Uellsit Çarlsi, të bëhet trashëgimtarë që më së gjati ka pritur për t’u ulur në fron.