Elina Duni këndoi shqip në Japoni e Kore

“Shumë eksperiencë e mirë. Muzika është pëlqyer shumë si në Japoni ashtu edhe në Kore. Kam qenë shumë e prekur nga mirëpritja e japonezëve, dëgjimi i tyre, vëmendja që kishin ndaj muzikës e respekti, është një kulturë vërtet fasionante, ka diçka të mrekullueshme aty”, tha artistja Elina Duni për KultPlus.

Elina Duni këndoi shqip në Japoni e Kore

Artistja e cila tashmë njihet për stilin e saj të veçantë e sidomos për performancat e saj këmbëzbathur, gjatë këtij muaji realizoi turin e saj në Japoni dhe në Kore. Kjo është Elina Duni, një prej artisteve më të mira shqiptare e njohur edhe jashtë kufijve, e cila jeton dhe vepron në Zvicër.

Këto koncerte Duni i filloi më dy shtator në Garaman Hall, Ginoza, në Okinaëa, për të vazhduar tutje në Fukuoka, në Tokyo e në Osaka, ndërsa ka përfunduar ciklin e koncerteve me performancën e saj në European Jazz Festival, në Seoul.

Artistja Duni ka performuar në këtë pjesë për herë të parë, atje ka interpretuar ‘Dallëndyshen’ dhe në të dyja vendet ka kënduar në gjuhën shqipe. Kjo përvojë do të mbetet gjatë në mendjen e saj.

“Shumë eksperiencë e mirë. Muzika është pëlqyer shumë si në Japoni ashtu edhe në Kore. Kam qenë shumë e prekur nga mirëpritja e japonezëve, dëgjimi i tyre, vëmendja që kishin ndaj muzikës e respekti, është një kulturë vërtet fasionante, ka diçka të mrekullueshme aty”, tha artistja Elina Duni për KultPlus.

Ftesa për këtë tur koncertesh Elines i është bërë nga një japoneze që jeton në Zvicër, e cila kishte thënë ‘jam e bindur që japonezëve do të ju pëlqejë shumë muzika e Elina Dunit’, dhe siç duket ashtu ka ndodhur, ata e kishin shijuar shumë muzikën e artistes shqiptare.

“E bukura ishte që aty e kupton vërtetë forcën dhe rolin e muzikës, sepse japonezët nuk kanë fare të bëjnë as me Shqipërinë as me Ballkanin, por ata ndienin gjithçka, kur t’i flet për dashurinë, kur t’i i këndon një dhimbje sepse është universalizmi në fakt. Unë them gjithmonë se nuk ke nevojë ta kuptosh një gjuhë për të kuptuar ndjesinë dhe emocionin që ajo përcjellë”, tregoi Duni.

Ajo tutje tha që është ndryshe t’i këndosh këto këngë në Evropë dhe është ndryshe t’i këndosh në Japoni që është më larg. Krejt për fund Elina u shpreh të jetë ndarë shumë e prekur nga pritja shumë e mirë dhe vëmendja e publikut japonez./KultPlus.com