Elez Blakaj e futi edhe djalin e xhaxhait në listat e “veteranëve të rremë”

Elez Blakaj e futi edhe djalin e xhaxhait në listat e “veteranëve të rremë”

Prokurori i dorëhequr i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, e ka futur edhe djalin e xhaxhait të tij në listën e personave që janë duke përfituar privilegjin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Burim Blakaj nga fshati Llukac i Begut të Komunës së Istogut, nodhet në mesin e mbi 20 mijë veteranëve që dyshohen se përfitojnë jashtëligjshëm statusin e veteranit të UÇK-së. Burim Blakaj thotë se është djali i xhaxhait të ish-prokurorit Elez Blakaj, i cili hetoi listat e veteranëve të UÇK-së për më shumë se një vit e gjysmë.

Por, ai deklaron se nuk është veteran mashtrues. Burim Blakaj shprehet se nuk është futur në listat e veteranëve të UÇK-së vetëm për të përfituar financiarisht prej këtij privilegji. Thotë se pjesë e luftës ishte që nga viti 1998.

“Kam vendosur të heshtë, jo pse Elezin e kam timin, por njëmend duhet të pastrohen listat njëherë e përgjithmonë. Unë isha në luftë nga 98-ta, më njeh lagja ime, fshati e Komuna. Nëse e meritoj të jem veteran e gëzofsha, nëse jo nuk brengosem fare. Kam japur kontributin tim që më ka takuar dhe nuk jam njeri që vrapoj pas parave. Tek familja ime, zoti ynë e di që jam i pastër si loti. Para s’kam japë si shumë të tjerë, andaj do ja lë kohës”, ka thënë Blakaj, në një intervistë për mediumin Lajmi.net.

E megjithëse emri i tij figuron në listat e prokurorisë, Burim Blakaj përgëzon ish-prokurorin për punën e bërë. Sipas tij, me veprimtarinë e deritanishme djali i xhaxhait të tij ka zbardhur shumë të vërteta.

“Elezin e kam djalë axhe, dhe për asgjë në botë nuk do ta njollosja sepse e njoh mirë. Atij i lumtë që ka zbardhë shumë të vërteta, e unë lutem që këto lista të përfundojnë ashtu që secilit t’i jepet ajo çka e meritojnë. Unë i përulem çdo ushtari të vërtetë, edhe nëse në istikame ka qëndruar një minut të vetëm, ngase këtë e ka bërë me zemër e nuk ka menduar asnjëherë për pasuri, por për atdhedashuri”, është shprehur Blakaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë para dy javësh ndaj ish-12 anëtarëve të komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së Agim Çeku, Nuredin Lishtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj and Xhavit Jashari.

Aktakuza ishte ngritur në gusht nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili u largua nga kjo detyrë dhe shkoi në SHBA, pasi tha se kishte marrë kërcënime lidhur me hetimin e listave të fryra të veteranëve të luftës. /Insajderi.com