Ekspozita ‘Passages’ e artistit Romy sonte në Prishtinë

Ekspozita ‘Passages’ e artistit Romy sonte në Prishtinë

“Passages” titullohet ekspozita e artistit Jean Pierre Romy, që do të hapet më 20 prill në ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës ‘QAFA’. Ekspozita përmban tridhjetë punime, prej të cilave 16 janë skulptura dhe të tjerat pikturë, ndërkaq kurator i kësaj ekspozitë do të jetë Dardan Muriqi.

“Vetëm duart, të mira dhe delikate, dëshmojnë precizitetin kuazi-kirurgjike të veprimit të tij, duart e dizajnerit që thërret koncizitetin dhe precizitetin e nevojshëm për praktikimin e sumos dhe kaligrafisë…Për Romin arti nuk është as elitist e as popullor, ai nuk i vë në pikëpyetje këto kushte. Arti është gjendje mendore dhe shpirtërore, si për krijuesin ashtu edhe për spektatorin [….] Është moment i përjetësisë të vjedhur nga koha që kalon, një pjesë e jetës sureale të gdhendur në shtrembërimin e hapësirës dhe kohës. Arti për të është si dashuria, një antidot kundër vdekjes”,shprehet ndër tjera tekstshkruesi i katalogut, Daphne Laure Masliah.

Jean Pierre Romy është skulptor dhe piktor.

Ai ka lindur në Egjipt nga një familje spanjolle-ruse me prejardhje hebreje dhe i rritur në Francë, ky artist zviceran u detyrua të shkojë në mërgim në Spanjën e Frankos para se të vendosej në Gjenevë.

Pasi studioi ekonomi dhe shkencat sociale në Universitetin e Gjenevës dhe në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare, ai filloi një udhëtim nismëtar i cili e çoi në mbarë botën. Nga kjo përvojë, ruajti lidhje bashkuese me Lindjen e largët, e cila lulëzoi në “Kaligrafitë imagjinare”.

Si skulptor i paqes, nën patronatin e Kombeve të Bashkuara, ai krijoi Monumentin e Paqes në Pekin, në kujtim të pesëdhjetë vjetorit të Republikës Popullore të Kinës.

Gjithashtu u përzgjodh nga UNESCO që të inaugurojë Vitin 2000, Vitin e Kulturës për Paqe, me një monument të quajtur “Vizim”. E përmbylli vitin 2000, Vitin e Kulturës për Paqe, duke krijuar “Trofetë e Paqes” dhe duke ua dorëzuar, së bashku me UNESCO-n, dy kampionëve botërorë të shahut në Nju Delhi dhe Teheran në dhjetor të vitit 2000.