EFJ mbështetë nismën për përmirësim të mbrojtjes së gazetarëve në Kosovë

13.03.2017 15:53
EFJ mbështetë nismën për përmirësim të mbrojtjes së gazetarëve në Kosovë

Federata Europiane e Gazetarëve përshëndeti iniciativën e AGK-së dhe Prokurorit të Shtetit që rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve të procesohen me prioritet.

Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ ) raportoi se Shkelqim Hysenaj, kryetar i AGK-së si dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi arritën marrëveshje për të mbrojtur gazetarët dhe profesionistët e tjerë medial kur rastet e sulmeve dhe kërcënimeve arrijnë te prokuroria.

Gjatë diskutimit, kryetari i AGK-së shprehu brengat e gazetarëve duke thënë se gazetarët punojnë në një ambient të pasigurt për shkak të mosefikasitetit të sistemit të drejtësisë, shkruan EFJ.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi nënshkroi vendimin më 9 mars 2017 duke caktuar një prokuror nga zyra e tij që të jetë koordinator i rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve tjera ndaj gazetarëve. Lumezi po ashtu ka kërkuar nga prokuroritë e qyteteve të tjera që të caktojnë nga një prokuror të cilët do të njoftojnë vazhdimisht koordinatorin në Prishtinë.

Prokurori i caktuar si koordinator do të mbajë një databazë me rastet e gazetarëve dhe do të njoftoj kryeprokurorin për këtë gjendje për çdo muaj, njofton AGK.

FEG është themeluar në vitin 1994 dhe përfaqëson më shumë se 320,000 gazetarë nga 71 asociacione të gazetarëve, përgjatë 43 shtete. AGK është anëtarësuar në këtë organizatë më 11 mars 2016.