Edi Rama bën zëvendësministër personazhin e librit të tij

Edi Rama bën zëvendësministër personazhin e librit të tij

Libri gjysmë autobiografik i Edi Ramës, “Kurbani” që fillon me notat pesimiste dhe me një therje dashi në dyert e bashkisë, në fund të tij mbyllet me tonet optimiste se si mund të jetë fshati evropian i Shqipërisë.

Dhe shkak për këtë bëhet ai që kryeministri i ardhshëm do ta quante “mësuesi im i admiruar i punëve të fshatit”. Fjala është për ish kreun e komunës së Xarrës në Konispol dhe ndërtuesin e të parës kooperativë kapitaliste në Shqipëri, Dhimo Kote.

Për këtë burrë, që sot Rama e ka futur në qeveri si zv ministër të Bujqësisë, ai bën në librin e tij një portret të shkëlqyeshëm. Ai tregon se si të gjithë e quajtën të çmendur kur u kthye nga emigracioni për të ringritur bujqësinë “për t’iu qepur me thonj utopisë për të rimbjellë e rilulëzuar si në kohën e komunizmit vendlindjen” për të prodhuar shalqinj e mandarina, duke u bërë “simboli i fshatit të Shqipërisë evropiane”.

Interesant është fakti se as Dhimo Kote, nuk i shpëton fatalitetit të fatit që kanë pasur personazhet e librit Kurbani.

Shumë prej tyre që janë skicuar me penelata negative në libër, pasi Rama u bë kryeministër janë ndeshur me një hakmarrje të denjë prej Monte Kristoje.

Nga ky fat nuk kanë shpëtuar as biznesmeni Dine Fratari, as studiuesi Aurel Plasari, as muzikanti Zhani Ciko, as bankieri Ardian Fullani, as politikani Arben Imami (Lexo poshtë shkrimin se si e kanë pësuar ata që Rama ka sharë në libër).

Të njëjtën trajektore po ndjek edhe Dhimo Kote, veçse ai ka figuruar në Kurban si personazh pozitiv. Prandaj dhe u bë zv/ministër. /Lapsi.al