“Edhe veteranët e dinë se 10 mijë prej tyre janë mashtrues”

“Edhe veteranët e dinë se 10 mijë prej tyre janë mashtrues”

Së paku dhjetë mijë (10,000) veteranë të inkuadruar në listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë mashtrues, ka thënë sot Visar Duriqi, autor i emisionit “Indoks” të Insajderit.

I ftuar në emisionin Debat + me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, Duriqi ka thënë se edhe organizata e veteranëve të luftës është në dijeni se numri i veteranëve është shtuar për gati 10 mijë vetë më shumë.

“Në vizitën e fundit që e kam pasur tek Organizata e Veteranëve të Luftës, ata e pranojnë që më së shumti numri i veteranëve mund të shkojë deri në 25 mijë vetë. Edhe veteranët e dinë se së paku 10 mijë vetë janë veteranë mashtrues, të cilët i ka sjellë Komisioni i Agim Çekut”, ka thënë Duriqi.

Duriqi është shprehur se problemi është krijuar nga Komisioni për Verifikimin e Veteranëve të Luftës, i cili proces është udhëhequr nga Agim Çeku. Sipas autorit të “Indoks”, ky komision ka pasur përbërje të dyshimtë.

“Problemi i madh është tek Komisioni i Agim Çekut. Në këtë komision ka pasur shumë njerëz që kanë aktakuza për korrupsion; kanë qenë njerëz si Sami Lushtaku, Shukri Buja”, është shprehur Duriqi.

Të dielën, emisioni “Indoks” transmetoi dokumentarin “Krim dhe turp”, i cili dëshmonte mashtrimin me listat e veteranëve të luftës.

Dokumentarin e plotë mund ta gjeni këtu:

https://video.gjirafa.com/insajderi?video=indoks-krim-dhe-turp-2&playlist=indoks-dokumentar-nga-insajderi