Edhe Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së “ka pasur” kontakte me Rusinë

Edhe Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së “ka pasur” kontakte me Rusinë

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, ka takuar ambasadorin e Rusisë dy herë gjatë fushatës presidenciale të Donald Trumpit, vitin e kaluar, konfirmoi Qeveria amerikane.

Sessions, senator në atë kohë, nuk i ka zbuluar kontaktet gjatë seancës në Senat, në muajin janar, për konfirmimin e tij.

Por, ai tha të mërkurën se “nuk ka takuar kurrë ndonjë zyrtar rus për të diskutuar çështje të fushatës”.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e akuzoi Sessions për “gënjeshtra” dhe i kërkoi të japë dorëheqje.

Demokratë të tjerë i kërkuan të tërhiqet nga hetimi që po bën FBI për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në ShBA, e të cilin Sessions e mbikëqyr nga posti i prokurorit të përgjithshëm.

“Ai duhet të bëjë këtë pa vonesë”, tha përfaqësuesi demokrat, Eliot Engel.

Lajmi, që fillimisht u raportua nga Washington Post, u bë publik vetëm pak orë pasi republikanët dhe demokratët e një komiteti të Kongresit u pajtuan për hetimin e akuzave për bashkëpunim midis fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Paneli i inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve do të shqyrtojë kontaktet midis fushatës presidenciale të Trumpit dhe Moskës.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo sjellje të pahijshme gjatë fushatës zgjedhore dhe nuk i ka komentuar menjëherë zhvillimet e fundit.

Rusia, ndërkaq, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për ndërhyrje.

Departamenti amerikan i Drejtësisë konfirmoi se Sessions ka takuar ambasadorin rus në ShBA, Sergei Kislyak, si anëtar i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura.

Gjatë seancës për konfirmimin e tij, Sessions është pyetur se çfarë do të bënte nëse ka prova se dikush nga fushata e Trumpit ka qenë në kontakt me Rusinë.

Sessions është përgjigjur duke thënë se “nuk është në dijeni për aktivitete të tilla”.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën vonë, Sessions tha se “nuk ka takuar kurrë ndonjë zyrtar rus për të diskutuar çështje të fushatës”.

“Nuk kam ide se për çfarë janë këto akuza. Janë false”, tha ai.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Sarah Isgur Flores, tha se “nuk ka absolutisht asgjë mashtrues në përgjigjen e tij”.

Ajo tha se Sessions ka pasur takime vitin e kaluar me më shumë se 25 ambasadorë të huaj, në pozitën e anëtarit të Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura.

Muajin e kaluar, këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, Michael Flynn, është shkarkuar, pasi ka keqinformuar Shtëpinë e Bardhë për bisedat e tij me ambasadorin rus, me gjasë për sanksionet e ShBA-së kundër Moskës./REL/