Edhe pas faljes së borxheve nga shteti, qytetarët zhyten prapë në borxhe

Edhe pas faljes së borxheve nga shteti, qytetarët zhyten prapë në borxhe

Instituti GAP ka mbajtur tryezë diskutimi ku është prezantuar analiza me titull “Efektet e Ligjit për faljen e borxheve”.

Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin GAP, theksoi se ligji për faljen e borxheve ishte miratuar si instrument fiskal me anë të të cilit qeveria shpresonte të falë dhe shlyejë borxhet e qytetarëve dhe bizneseve dhe të stimulojë konsumatorët për pagesa të rregullta të detyrimeve ndaj shtetit në vitet që pasojnë.

Sipas tij, Ligji për faljen e borxheve më shumë i ngjan një lehtësimi administrativ për institucionet se sa faljes ligjore të borxheve, meqenëse borxhet ishin parashkruar apo vjetërsuar dhe për to nuk mund të ngrihej padi. Ai gjithashtu theksoi se për dallim nga Kosova, shtetet si Maqedonia dhe Kroacia kanë miratuar nisma ligjore për faljen e borxheve të familjeve nën asistencë sociale pa kushtëzime.

Nora Jusufi, hulumtuese në Institutin GAP, theksoi se procesi i faljes së borxheve në Kosovë nuk ka qenë transparent dhe nuk është raportuar saktë. Komisioni për mbikëqyrjen e faljes së borxheve në Ministrinë e Financave nuk ka arritur të sigurojë raporte nga të gjitha ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore dhe të dhënat për faljen e borxheve nuk kanë qenë të qasshme për publikun.

Megjithatë, sipas të dhënave të mbledhura nga Instituti GAP nga dhjetë ndërmarrje publike dhe dy institucione shtetërore, janë falur rreth 56% e borxhit të mbledhur deri në fund të vitit 2008. Ndërkaq, për periudhën 2009-2014, janë shlyer 30% e borxheve.

Përfituesit më të mëdhenj të ligjit ishin qytetarët me të hyra mujore të larta krahasuar me ata me më pak të hyra. Ligji u vlerësua si pjesërisht i suksesshëm për shkak të gjendjes së dobët ekonomike të qytetarëve dhe mungesës së efikasitetit të gjyqësorit.

Kjo analizë i rekomandon Ministrisë së Financave të publikojë të dhënat e detajuara për faljen e borxheve, ndërsa Qeverisë së Kosovës që të falë me automatizëm borxhet që kanë familjet nën skemën e asistencës  sociale deri në vitin 2008, si dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit që ta bëjë auditimin e rregullsisë për procesin e faljes dhe shlyerjes së borxheve.

Fatmir Gashi, zëvendësministër i financave, u pajtua me të gjeturat e Institutit GAP ku theksoi se edhe vetë ministria nuk i ka ende numrat përfundimtar.

Ai theksoi se ky ligj ndihmoi të falet borxhi që deri në 2008 ishte administruar nga rregulloret e UNMIK-ut. Por, sipas tij, trend shqetësues pas procesit të faljes së borxheve mbetet që për vitin 2016 dhe 2017 në ATK janë rritur borxhet.

Gashi theksoi që nuk do të ketë më falje të borxheve, dhe se ministria do të publikojë listën e bizneseve që nuk paguajnë tatim.

Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm, u zotua se rekomandimi i Institutit GAP për auditimin e performancës së ligjit për faljen e borxheve do  të jetë pjesë e planit të punës për vitin 2018/2019.

Sipas Osmanit, menaxhimi i ligjit ka qenë i paqëndrueshëm pasi dështimi kryesor është bërë në zbatimin e nenit 5 të ligjit që kërkon nga të gjitha ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore të krijojnë listat e personave që do të mund të përfitonin nga ky ligj. Sipas tij, vetëm ATK dhe Dogana kanë përpiluar listat e tyre.

Raif Preteni, drejtor i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujittha se në këtë sektor niveli i performancës nga viti 2015 në vitin 2016 është rritur nëse merret parasysh rritja në shkallën e inkasimit që vjen si rezultat i ligjit për faljen e borxheve.

Rritja më e dukshme ishte nga viti 2015 në 2016, ku në vitin e mëparshëm shkalla e inkasimit ishte 74% ndërsa në të dytin 86%.

Në këtë tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të ndërmarrjeve publike, komunave dhe institucione të tjera publike.