Edhe LDK-ja i uron sukses CDU-së së Merkelit

Edhe LDK-ja i uron sukses CDU-së së Merkelit

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, i ka uruar sukses CDU-së së Anglea Merkelit, në zgjedhjet e nesërme në Gjermani.

Ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me kujdes të veçantë fushatën zgjedhore në Gjermani, duke pas parasysh kontributin e jashtëzakonshëm të këtij shteti mik për Kosovën si dhe relacionet e miqësisë të shumanshme ndërmjet dy vendeve.

“Përgëzojmë të gjitha subjektet politike gjermane për fushatën e tyre. I urojmë sukses në zgjedhjet e së dieles Unionit Kristian Demokratikit (CDU) të kryesuar nga Kancelarja Angela Merkel, si parti simotër në kuadër të Partisë Popullore Evropian (EPP), duke shprehur konsideratat më të larta për rezultatet historike që janë arritur në Gjermani si dhe përkrahjen e pazëvendësueshme që është ofruar për Kosovën dhe rajonin, nën lidershipin e Kancelares Merkel dhe CDU-së”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net.

Edhe Mustafa ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të jenë pjesë e procesit zgjedhor në Gjermaninë mike, e cila, siç ka thënë Mustafa, ka kontribut të jashtëzakonshëm në pavarësinë, si dhe në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës.

Një gjë të tillë mërgatës i ka kërkuar edhe Vetëvendosje, vetëm se ajo ka kërkuar që të votohet për socialdemokratët.

“Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në thirrjen e Vetëvendosjes për mërgatën shqiptare.

Në anën tjetër, Behgjet Pacolli që është ministër i Punëve të Jashtme po ashtu ka shprehur përkrahjen e tij për Angela Merkelin.