Edhe Kombëtarja Shqiptare e femrave bazohet te lojtaret nga Kosova

Edhe Kombëtarja Shqiptare e femrave bazohet te lojtaret nga Kosova

Plot 15 lojtare me origjinë nga Kosova janë grumbulluar së fundmi nga trajneri i kombëtares së Shqipërisë për femra, Armir Grima.

Ashtu si kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani De Biazi, ku pjesa dërrmuese e ekipit dominohet nga kosovarët, edhe te femrat ndodh e njëjta gjë.

Në fakt, Kosova ka një traditë në futbollin e femrave, pasi në Shqipëri ekipet kësaj gjinie janë ndërtuar me shumë vonesë.

Pavarësisht pranimit vetëm në vitin e kaluar të Kosovës në UEFA dhe FIFA, sërish në këtë të fundit ka pasur një zhvillim të futbollit të femrave, teksa ka funksionuar rregullisht një kampionat, i cili ka qenë me rivalitet të madh. Në Kosovë kanë investuar jo pak për futbollin e femrave, edhe pse gjatë viteve të fundit e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shqipërinë.

Shumë lojtare nga Kosova luajnë në kampionatin shqiptar, ndërkohë që trajneri Grima bazohet më së shumti te futbollistet që aktivizohen në ekipe jashtë Shqipërisë.

Trajneri shkodran është vendosur në krye të kombëtares në maj të viti të kaluar dhe tashmë do të synojë që të kualifikohet për më tej në grupin 2. Së fundmi, femrat kuqezi zhvilluan një miqësore ndaj Italisë, të cilën e humbën 1-0.