Gjermania kundër nismës së Thaçit për ushtrinë

23.03.2017 10:37
Gjermania kundër nismës së Thaçit për ushtrinë

Nisma e Hashim Thaçit për transformimin e rolit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është brengosëse për Gjermaninë, ndërsa fakti që Presidenti nuk konsultoi partnerët ndërkombëtarë për propozimin e tij ka zhgënjyer ambasadën e këtij shteti në Kosovë.

Projektligji i iniciuar për pajisjen e FSK-së me armë dhe marrjen e rolit të ushtrisë mund t’i rrezikojë madje edhe raportet e Kosovës me partnerin e saj kryesor ushtarak – NATO-n, thuhet në përgjigjet e Ambasadës Gjermane në Kosovë dhënë për Klan Kosovën.

“Ne jemi të zhgënjyer që propozimi nuk është diskutuar paraprakisht me partnerët e Kosovës në NATO dhe aktorë të tjerë relevantë. Jemi të brengosur, sepse ky propozim rrezikon bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe pengon dialogun e normalizimit”, deklaron ambasada në emër të ambasadores, Angelika Viets, për Klan Kosovën.

Presidenti i Kosovës e ka të garantuar me Kushtetutë propozimin e nismave legjislative, por sipas ambasadës, po kjo Kushtetutë duhet të konsultohet për transformimin eventual të FSK-së në ushtri.

“Definimi i mandatit dhe strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës janë vendime të pavarura të Kosovës. Megjithatë, çfarëdo transformimi do të duhej të bëhej në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik transparent që do të përfshinte të gjitha palët e përfshira në të”.

Ambasada gjermane sugjeron që të bëhen llogaritë duke pasur në konsideratë qëndrimet e NATO-s, të dhëna përmes sekretarit gjeneral, Jens Stoltenberg, “se aleanca do stepej nga ndihma për FSK-në, nëse ndryshimet bëhen vetëm me ligj e pa Kushtetutë”.

“Vendimmarrësit duhet të kenë parasysh paralajmërimet e NATO-s; se NATO-s do t’i duhet të rishikojë nivelin e saj të përkushtimit, posaçërisht për sa i përket çështjes së ngritjes së kapaciteteve, nëse ligji aktualisht i propozuar miratohet”.

Sipas ambasadës gjermane, tema e çështje si kjo për ndryshim të misionit të FSK-së, mbajnë larg vëmendjen nga problematikat tjera, tejet të rëndësishme.

“Ne e kemi mbështetur fuqishëm një Kosovë të pavarur dhe sovrane, gjatë gjithë kohës. Megjithatë, na vjen keq që çështje polarizuese si kjo, largojnë vëmendjen nga reformat që janë shumë më urgjente, sikur janë sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe sigurimi i mirëqenies më të mirë sociale për njerëzit”.