Edhe Adem Jashari, edhe trerremshi i Bashkim-Vllaznimit nuk shkojnë bashkë

Edhe Adem Jashari, edhe trerremshi i Bashkim-Vllaznimit nuk shkojnë bashkë

Pas tri vjetësh qëndrimi në sirtarët e Komunës së Prishtinës, të martën, ka nisur jetësimi i projektit për revitalizimin e platosë në sheshin “Adem Jashari”.

Fillimi i punimeve në këtë shesh kishte mbetur peng i mospajtimeve mes Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës, të cilat ndajnë pronësinë e hapësirave të sheshit, raporton 038 i KTV-së.

Komuna vazhdimisht e kishte fajësuar Kuvendin se nuk ia ka dhënë pëlqimin për të punuar në pronën e tyre.

Madje, më 2016, mosmarrëveshjet mes këtyre dy institucioneve bënë që të humbej një donacion prej 270 mijë eurosh, nga DEMOS-i zviceran për rregullimin e kësaj hapësire.

Në kohën kur po punohet në renovimin e sheshit që mban emrin e komandantit legjendar të UÇK-së, janë shfaqur mospajtimet për qëndrimin e monumentit të “Vllaznim Bashkimit” në të.

Në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkojnë që të largohet ky monument dhe të vendoset shtatorja e Adem Jasharit ose që të ndërrohet që emrin e heroit ta mbajë ndonjë shesh tjetër, ku do të mund të vendosej edhe shtatorja.

Shala, i cili është edhe asamblist i PDK-së në kryeqytet, është i pakënaqur me zvarritjet për ndërtimin e sheshit, për të cilin ishte marrë vendimi para 13 vjetësh.

Ndërsa ka shtuar se çështjen e shtatores së Adem Jasharit do ta ngre edhe Kuvendin e kryeqytetit.

Idenë e vendosjes së saj e kishte mbështetur edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ndryshe nga veteranët, organizata Docomomo International, përmes një letre, i ka kërkuar të parit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti, që të mos preket “trekëndëshi” i vendosur në atë hapësirë para 60 vjetësh.

Qytetarët janë pro vendosjes së shtatores së Adem Jasharit, por të ndarë në mendime në atë se a duhet të largohet monumenti i “Vllaznim Bashkimit”.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë treguar nëse do të vendoset statuja e heroit, por kanë garantuar se monumenti aktual nuk do të preket.

“Vlera e projektit është 311 mijë euro, ndërsa ai parasheh sanimin e pllakave dhe revitalizimin e hapësirave të gjelbra, duke mos tjetërsuar simbolet që tash gjenden në shesh”, ka thënë Miranda Mullafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës.

Ndryshe, punimet e nisura këtë javë, parashihet të përfundojnë brenda një afati prej 90 ditë pune.