E shenjta

E shenjta

Opinion nga Alfred Lela

‘E shenjta’ është një tregim i Gabriel Garsia Markezit, pjesë e ‘12 tregime pelegrine’. Margarito Duarte, është një fshatar nga Andet të cilit i ka vdekur e shoqja gjatë lindjes së të bijës dhe 7 vjet më vone edhe fëmija. I mbetur vetëm, jeta do të kish vazhduar nën të njëjtin shkretim nëse nuk do të kish qenë për vendimin e zhvendosjes së varrezës së fshatit për shkak të ndërtimit të një dige. Ndër varret e hapura, e vetmja habi, e quajtur mrekulli më vonë nga fshatarët, është trupi i paprekur dhe i papeshë i së bijës së Margarito Duartesit.

Me bagazhin më të çuditshëm në botë, personazhi markezian mer avionin për në Romë me qëllim që t’i kërkojë Vatikanit shenjtërimin e së bijës. Përpjekjet e tij për t’i arritur kësaj zgjasin 22 vjet, gjatë të cilëve katër papë ndërrojnë jetë. Duarte nuk dorëzohet, edhe pse kanonizimi është zhvendosur nga sinoret e së mundshmes, ashtu si varreza në fshatin kolumbian të lënë pas.

Rrëfyesi, i cili e takon Duarten në një pensione në Romë, arrin në përfundimin se e gjithë kjo kohë e ai mundim i kaluar në një qytet të huaj, në përpjekje për ‘njohjen e mrekullisë’ së të bijës ishin në fakt shenja se i shenjti ishte ai: Margarito Duarte.

Kolumbia e Markezit dhe Duartesit është një vend tradicionalisht dhe thelbësisht katolik dhe numëron 6 shenjtorë të Kishës. Shqipëria është vend me rrënjë në krishtërim dhe aktualisht me një pakicë katolike, diku mbi 10 përqind, pas pushtimit osman dhe atij komunist. Por ajo ka, që prej së dielës, të shenjtën e saj, Shën Terezën.

Mund të debatohet, sigurisht, për konceptin ‘Shqipëri’, duke qenë se Gonxhe Bojaxhi vetëm pjesërisht i përket një konfiguracioni gjeografik apo politik që quhet Republikë e Shqipërisë. Ajo ka jetuar për pak kohë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ku ka çuar jetën pjesa e mbetur e familjes së saj, nëna me dy motrat. E lindur në Shkup, në një familje katolike, nëse mund t’i refuzohet Shqipëria, asaj nuk mund t’i mohohet shqiptarësia.

Shqiptarësi, çka është edhe më e rëndësishme, të cilën e ‘kanonizoi’ edhe Selia e Shenjtë të dielën e shkuar gjatë ceremonisë bujare e madhështore të shenjtërimit të saj. Megjithëse e pagëzuar si Shën Tereza e Kalkutës, Vatikani e ‘njohu’ Nënë Terezën si shqiptare. Nëpërmjet të gjitha shenjave identitare, ndër to edhe praninë në cermoni të ‘yjeve’, jo të Shqipërisë, por të botës shqiptare, të cilët vinin nga Shqipëria, Kosova dhe Diáspora. Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Lorik Cana, Gëzim Myshketa ishin shkëndijime të talentit. Në fakt të një shkëndije apo të një ‘thirrjeje’, që edhe pse nuk qëllon e ngjashme me të Nënë Terezës, dëshmon atë grimcën hyjnore që i përshkon njerëzit. E cila del në pah në forma të ndryshme. Nëse Gonxhe Bojaxhi e dëshmonte me anë të shpirtit, Inva Mula le të themi, e bën me anë të zërit.

Ceremonia e shenjtërimit, pikëzuar me shenja shqiptare dhe përmbyllur me shenja të së krishterës, ishte megjithatë një shërbim që u bëhej shqiptarëve në të gjithë botën. Simboli i ri që u jep Kisha Katolike, ai i Shën Terezës, nuk mund të jetë një rast për mburrje e ngrefmonai. E kundërta. Rasti i Gonxhe Bojaxhi nuk është ai i Margarito Duartesit që endet nëpër Romë me trupin e së bijës, së cilë i do shenjtërimin. Kolumbiani nuk ka me vete vetëm korpsin e të bijës së vdekur në moshën e brishtë 7 vjeçare, megjithatë. Ai bart edhe amanetin e fshatit të vogël të Andeve kolumbiane, banorët e të cilit kanë mbledhur para për të dërguar në Romë bashkëfshtarin dhe bashkëvuajtësin e tyre. Me anë të Duartesit duan t’i bëjnë një shenjë botës se ekzistojnë edhe ata: ashtu të vegjël, të parëndësishëm, të humbur në një kënd të harruar, modestë e të përkorë në krishtërimin e përditësinë e tyre, ata e kanë megjithatë një kulm dhe një dritë. Një vajzë të vogël të vdekur, trupi i së cilës nuk prishet dhe as peshon. Ajo është jolëndore si grimca e Zotit që gjendet me gjasë te secili prej nesh. Vogëlushja Duarte është britma simbolike e të voglit dhe të papërfillurit për t’u ndjerë dhe kuptuar në botë. Për të thënë: unë ekzistoj! A nuk ishte e tillë, e vogël, një grusht njeri, thuajse e papeshë edhe Gonxhe Bojaxhi, alias Nënë Tereza?

Asnjë shqiptar nuk ishte në Romë, në ecejaken pension-Seli e Shenjtë, me trupin e Gonxhes duke kërkuar shenjtërimin e saj. Asnjë shqiptar, veç vetë katolikes shqiptare të lindur në Shkup, nuk ka meritë në këtë shenjtërim. Aq më pak mund të mendohet se të shenjtët jeni ju, ne, ata që e menduan apo e dëshiruan këtë shenjtërim. Le ta pranojmë: shumë nesh dinë pak ose apsak për Nënë Terezën, tashmë Shën Tereza e Kalkutës, dhe thuajse asnjë prej nesh nuk jeton sipas parimeve të saj. E përdorim, megjithatë, shpesh e më shpesh, si konvencion kombëtarist apo provincialist. Kështuqë, të shenjtët nuk jemi ne që kemi bartur trupin e dëshirës sonë për shenjtërimin e saj, që më pas të përkthejmë në konvencion utilitarist.

E shenjta vazhdon të jetë ajo. Megjithatë, ‘kanonizimi’ ynë fillon aty ku merr formë miti. Duke e bërë pjesë të mitologjisë kombëtare, duke e pranuar si shenjë identifikuese, si parim të së mirës, ne lumnohemi prej hirit të saj. /mapo.al