E quajtën “të rrëzuar”, por nuk po mund ta rrëzojnë

E quajtën “të rrëzuar”, por nuk po mund ta rrëzojnë

Partitë opozitare ende nuk i kanë siguruar votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, ndonëse kjo e fundit i ka vetëm 53 vota në Kuvend

Drejtues të partive opozitare disa herë kanë deklaruar se kjo Qeveri i ka ditët e numëruara, por vlerësohet se as vetë ato parti nuk janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme

Ndonëse tash e disa muaj opozita po vazhdon ta kërkojë rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, në mungesë të numrave ende nuk po arrin ta realizojë një gjë të tillë. Si rrjedhojë e kësaj, koalicioni qeverisës me vetëm 53 mandate po vazhdon të funksionojë në Parlamentin e Kosovës.

Njësoj pritet të vazhdojë edhe përgjatë tërë këtij viti, po qe se PDK-ja nuk rreshtohet kah krahu opozitar për t’i dhënë fund kësaj Qeverie.

Kështu të paktën konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se opozita nuk është serioze në kërkesën e saj për rrëzim të Qeverisë dhe për zgjedhje të parakohshme.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e LDK-së kanë thënë për “Zërin” se po qe se nuk arrihet një dakordim mes partive për zgjedhje, atëherë ky subjekt do t’i nisë procedurat për mbledhjen e nënshkrimeve për ta ngritur mocionin për rrëzimin e ekzekutivit.