E konfirmojnë Duka dhe Vokrri – Liga e Përbashkët drejt formimit

E konfirmojnë Duka dhe Vokrri – Liga e Përbashkët drejt formimit

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Kosovare e Futbollit, kanë filluar bisedimet konkrete për të ideuar një aktivitet të përbashkët që të jetë mbi kuadrin e miqësoreve të zakonshme mes klubeve.

Konfirmimi vjen edhe nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili bëri të qartë se po kërkohej një formulë që garantonte interesin e duhur.

Duka ka thënë se një kompeticion i përbashkët ndërmjet të dyja federatave pritet të ndodhë, mirëpo nuk është përcaktuar ende se në çfarë formati do të jetë, njofton Insajderi.

“Ka kohë që kemi filluar të flasim me presidentin Vokrri për një aktivitet të përbashkët. Nëse do të jetë një Ligë e Përbashkët apo nëse do të jetë një Kupë, akoma nuk është përcaktuar. Por gjithsesi duam t’i japim seriozitetin e duhur, ngjyrat e duhura, për të pasur interesin e duhur”, tha ai për “SuperSport”.

Ndërkohë, për presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri, tani mund të flitet lirisht edhe për krijimin e një Lige të Përbashkët, të cilët tifozët në të dy vendet e kanë kërkuar prej kohësh.

“Liga e Përbashkët ka qenë më parë një lloj demagogjie, pasi as shanset minimale nuk kanë qenë të realizueshme. Sot është një situatë tjetër, të dy federatat janë të pranuara ndërkombëtarisht dhe mund të diskutohen të gjitha temat, asnjë temë nuk është tabu, po ashtu edhe kjo. Por kjo duhet bërë në harmoni të plotë me organet përkatëse, meqë jemi anëtarë të UEFA-s, si dhe të shikohet se cila është mundësia më e mirë”, deklaroi Vokrri. /Insajderi.com