E enjtja e trofeve për PDK-në e Thaçit

Derisa AAK-ja pret për ta emëruar njeriun e tyre në krye të Telekomit të Kosovës, ndërmarrjes në prag të falimentimit, është PDK-ja që dje ka shënuar dy suksese. Njerëzit e fraksionit të Thaçit në PDK zaptuan edhe dy poste të rëndësishme publike.

E enjtja e trofeve për PDK-në e Thaçit

E tërhequr anash për një kohë, duke e marrë veten pas debakleve në zgjedhjet e vitit të kaluar, Partia Demokratike e Kosovës shënoi dy suksese të enjten . Ngriti dy trofe suksesi.

Zaptimi i posteve publike është matësi i suksesit për partnerët e koalicionit. Kështu, e shohin ata suksesin në qeverisje.  Ajo që zapton më shumë, xhelozohet nga zaptuesit në tentative.

Dje fituese ishte PDK-ja. Njerëzit e saj u vendosën në krye të dy ndërmarrjeve të rëndësishme publike. Në fakt, përfituan njerëzit e PDK-së së Thaçit, një fraksion jo formal brenda partisë së drejtuar aktualisht nga Kadri Veseli.

Nijazi Thaçi, kushëri i presidentit Hashim Thaçi, u emërua ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës. Po ashtu, në të njëjtën ditë u emërua kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”. Përfitoi një familjar i mikut të Hashim Thaçit.

Aty u dërgua një kushëri i Sami Lushtakut. Kjo ndërmarrje duket se është jashtëzakonisht e lakmueshme për familjen Lushtaku. Aty më herët, Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut,  kishte mbajtur pozitën e anëtarit të bordit të drejtorëve.

Kontrolli i këtyre dy ndërmarrjeve publike nga Thaçët e Lushtakët nuk është i rastësishëm. KEK-u është përdorur për të shpërblyer me tenderë milionësh kompaninë “Security Code”, në pronësi të Lushtakëve. Po ashtu, edhe ndërmarrja “Ibër-Lepenc”, është përdorur për interesa të Thaçëve.  Këto grupe të interesit i bëjnë favore njëra-tjetrës, duke keqpërdorur pozicionet publike.

Vendimet e djeshme nuk ndryshuan asgjë në praktikë. Ndryshuan vetëm në letër, formalisht. Është hera e parë që është përligjur drejtimi i tyre nga njerëzit, të cilët për më shumë se një dekadë i kanë kontrolluar nga prapaskena.

Derisa ndërmarrja “Ibër-Lepenc”, do të drejtohet nga  Berat Lushtaku, një person jo i njohur për publikun, e njëjta nuk do të ndodh me KEK-un.

Korporata Energjetike do të drejtohet nga Nijazi Thaçi, një person jashtëzakonisht i njohur për publikun. Jo për të mirë. Por, për të bëmat e tij. Për dyshimet e mëdha për keqpërdorimin e dhjetëra miliona eurove.

Thaçi, i punësuar në KEK më 2006, ka gati që një dekadë që e udhëheq këtë ndërmarrje. Përderisa Arben Gjukaj e drejtonte zyrtarisht, Thaçi lëvizte penjtë e korporatës, në prapaskenë.

Thaçi kishte mbajtur postin e drejtorit të prokurimit në KEK deri në vitin 2011. Atë vit, kishte ndërruar pozitë. Ishte emëruar në postin e drejtorit operativ të ndërmarrjes publike.

Por, kush shpërblehej me tenderë gjatë kohës sa Thaçi mbante pozitën e shefit të tenderëve në KEK?

Mes vitit 2009 dhe 2011 kompania që merret me biznesin e thyerjes së gurit “Geo Mineral” kishte fituar tri tenderë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Kjo kompani është në pronësi të Idriz Thaçi, vëllait të presidentit Thaçi.

Tenderin e parë që “Geo Mineral”  e kishte fituar nga KEK-u ishte më 21 prill të vitit 2011 dhe kishte një vlerë prej 156 mijë eurove. Ndërkaq, tenderin e dytë e përfitojë më 24 prill të vitit 2009 dhe kishte vlerë prej 205 mijë eurosh.

Një tender tjetër në vlerë prej 1 milionë e 298 mijë e 332 euro, kompania “Geo Mineral” e kishte fituar më 7 dhjetor të vitit 2009.

Tenderi kishte të bënte me ndërtimin e linjës së re të gypit për furnizim me ujë të rëndomtë për Termocentralin “Kosova B” nga kanali Ibër-Lepenc.

Të tre tenderët që kjo kompani fitoi nga KEK-u arritën vlerën e mbi 1 milion e gjysmë eurove.

Përfitues nuk ishte vetëm firma e familjes së Thaçit. Gjatë kësaj kohe u shpërblyen edhe kompani të ndërlidhura me familjen Thaçi.

Kompanitë “Eco Trade” dhe  “AC/DC”, pronë e vëllezërve Mehdi e Ilmi Zhugollin kishin përfituar miliona euro nga tenderët publik të KEK-ut, gjatë kohës sa Nijazi Thaçi mbante pozitën e shefit të prokurimit.

Pronarët e kësaj kompanie ishin të lidhur me vëllezërit e Hashim Thaçit, atëkohë kryeministër i Kosovës.

Këta tenderë ishin dhënë në fillim të mandatit të Hashim Thaçit si kryeministër. Për të ecur proceset tenderuese në të mirë të tyre, aty ishte Nijazi Thaçi.

Për tërë këto të bëma kushëriri i presidentit nuk u hetua asnjëherë nga organet kosovare të ndjekjes. Është vështirë e besueshme që do të hetohet, në të ardhmen. Ai tashmë është rikthyer në pozitë vendimmarrëse për tenderët e KEK-ut. Tash, është shefi i shefave. Nga kjo pozitë mund të ndikojë në tenderë më shumë se sa që kishte bërë kur ishte pjesë e Zyrës së Prokurimit.

Për shkak se të bëmat e tyre do të mbesin të paprekura nga prokurorët, njerëzit e PDK-së së Thaçit kanë arsye për të triumfuar. Për kapjen edhe më të fuqishme të ndërmarrjeve publike.

Kanë arsye për të festuar. Sigurisht edhe për të qeshur me pritjen e AAK-së për ta bërë njeriun e tyre drejtor të përgjithshëm të Telekomit të Kosovës, një ndërmarrje në prag të falimentimit. Duke e ditur se në cilën ndërmarrje kanë mbetur më shumë para, PDK-ja  është tërhequr nga kontrolli i atyre që tashmë i ka falimentuar. I ka joshur partnerët e koalicionit për t’i marrë ato si pjesë të hises së koalicionit.