E djathta serbe po i mobilizon “Rojet popullore” për t’i dërguar në Kosovë

10.08.2018 13:38

Pas dhënies së urdhrit ithtarëve të vet nga E Djathta Serbe (DS), Misha Vasiq nisi krijimin e “rojeve mbrojtëse popullore”, dhe këtë e publikoi në Twitter

E djathta serbe po i mobilizon “Rojet popullore” për t’i dërguar në Kosovë

Vasiq në profilin e tij e ka publikuar një fotografi nga një kafehane të Beogradit me “bashkëluftëtarët” e tij, dhe në përshkrim ka shkruar:

“U morëm vesh për krijimin e rojeve mbrojtëse popullore. Fli i qetë popull!”.

Ky veprim përkujton në krijimin e Rojeve Shtetërore Serbe, të njësiteve policore ushtarake të Qeverisë famëkeqe serbe të Milan Nediqit nga Lufta e Dytë Botërore. Këto njësite atëbotë kanë kryer masakra çnjerëzore ndaj çifutëve, romëve, boshnjakëve, shqiptarëve dhe të tjerëve nëpër Serbi.

Organizata E Djathta Serbe (DS), në krye të së cilës është Misha  Vasiq, ka dërguar kumtesë në të cilën pretendon se ithtarët e tij nëpër gjithë Serbinë kanë filluar të ndërmarrin masa të caktuara dhe se po përgatiten “t’i mbrojnë serbët në Kosovë nga agresioni i shqiptarëve nga Kosova”.

Kjo lëvizje paralajmëron në mundësi të madhe të goditjes në veri të Kosovës dhe posaçërisht e thekson urdhrin e liderit të lëvizjes në të cilin urdhërohen të gjithë pjesëtarët të DS të jenë të gatshëm për t’u vënë në dispozicion ushtrisë serbe në rast të nisjes në Kosovë.

“Populli serb nuk do të jetë viktimë, nuk duam të shikojmë kolonat e refugjatëve serb duke i braktisur vatrat e tyre shekullore. Andaj, kryetari i të Djathtës Serbe urdhëron të gjithë pjesëtarët e lëvizjes që në rast përshkallëzimit të situatës, menjëherë të lajmërohen në detyrë organeve shtetërore, ushtrisë serbe dhe strukturave të sigurisë, për t’u vënë në dispozicion si vullnetarë në mbrojtjen e çështjes serbe”, ka kumtuar E Djathta Serbe./Insajderi.com.