I dyshuari për rrezikim të personelit të OKB-së thotë se nuk është në dijeni për ndjekje penale

I dyshuari për rrezikim të personelit të OKB-së thotë se nuk është në dijeni për ndjekje penale

Gazeta Insajderi ka shkruar gjatë këtij muaji se si Këshilli për Trashëgimi Kulturore u udhëhoq nga një i dyshuar për rrezikim të personelit të OKB-së. Ndaj këtij shkrimi ka reaguar i apostrofuari, Isuf Koci, i cili është shprehur i gatshëm të flasë, ndonëse gazeta me kohë kishte kërkuar sqarim prej tij.

Insajderi ka shkruar se të paktën gjashtë muaj, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është udhëhequr nga një drejtor ekzekutiv i paligjshëm.

Përveç kësaj, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit ekzekutiv të këtij Këshilli, Isuf Koci, është duke u hetuar nga Prokuroria për një vepër të rëndë penale: Rrezikim i personit të Kombeve të Bashkuara. Bordi i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e kishte emëruar Kocin në këtë pozitë në kundërshtim me ligjin.

Kurse Koci në reagimin e tij ka thënë të mos jetë në dijeni që ndaj tij po zhvillohet ndonjë procedurë penale.

“Unë më të vërtet nuk e di që kundër meje është duke udhëhequr ndonjë procedurë penale. Asnjëherë, nuk kam pranuar ndonjë ftesë për tu paraqitur në (prokurori, polici ose gjykatë), sikur do të pranoja, sigurisht së do të paraqitesha. Prandaj, sinqerisht nuk e di që ka ndonjë lëndë të tillë”, thuhet në reagimin e Kocit.

Megjithatë, ai shprehet i lumtur që ndaj tij asnjëherë nuk ka pasur rast penal për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që nuk kam pasur as nuk do të kem asnjëherë lëndë penale që lidhen më keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, krim të organizuar etj etj. Dëshmi që unë nuk jam nën hetime është Vërtetimi i Gjykatës i datës 24.07.2017 të cilin e keni të bashkangjitur”, thuhet më tej aty.

Ai ka thënë se për këtë pozitë kishte aplikuar sikurse të gjithë të tjerët.

“Ministria e Administratës Publike më kërkesë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, më datë 19.04.2017, ka hapur konkursin për Udhëheqës Ekzekutiv, bazuar në kompetencat ligjore që ka kjo ministri”, ka shkruar Koci.

“Unë, sikurse çdo qytetar i Republikës së Kosovës kam aplikuar për këtë pozitë të punës, duke pas parasysh: përvojën, kontributin dhe përgatitjen time akademike dhe profesionale. Vlerësimin e përvojës time të punës e ka bërë Komisioni për Vlerësimin e Kritereve i themeluar nga Ministria e Administratës Publike. Jam i diplomuar në Universitetin e Tiranës si Master i Shkencave në Trashëgimi Kulturore në vitin 2013”, sqaron Koci.

Gazeta ka përmendur faktin se Isuf Koci është i afërt me zyrtarin e PDK-së, Gani Koci, duke shtuar se gjatë përzgjedhjes është shkelur ligji, pasi Koci nuk e ka pasur përvojën e nevojshme të punës.

Kurse Koci, në reagimin e tij ndaj artikullit të Insajderit, ka thënë se pozitën e fitoi për shkak të përgatitjes profesionale dhe jo politike.

“Unë konsiderojë se kam lidhje të forta profesionale më të gjithë, në shërbim të trashëgimisë kulturore dhe Institucionit ku punojë, por jo lidhje politike. Unë nuk jam anëtar i asnjë subjekti politik, edhe pse një gjë e tillë lejohet më Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, mirëpo duke menduar se angazhimi politik mund dhe do të më pengonte në punën time profesionale, unë asnjëherë nuk jam angazhuar në ndonjë subjekt politik”, ka thënë tutje Koci në reagimin e tij.

Për më tepër, shkeljet ligjore në këtë institucion me staf të vogël janë konstatuar fillimisht nga Auditori i Përgjithshëm.

Në raportin e këtij viti në pikën “mbajtja e pozitës kyçe me ushtrues detyre – prioritet i lartë”, raporti thotë se në KKTK pozita e udhëheqësit ekzekutiv mbahet në cilësinë e ushtruesit të detyrës (UD) për një periudhë tashmë gjashtëmujore duke e tejkaluar afatin e lejuar ligjor për mbajtjen e pozitës në këtë formë.

“Ligji për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës (Nr. 03/L-149), përkatësisht Neni 30.4, kushtëzon se për plotësimin e pozitës së lirë në shërbimin civil, UD nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj”, thuhet në raport.

“Për më tepër emërimi nuk është bërë në pajtim me këtë ligj (neni 30.2) i cili thekson se zëvendësimi i një pozite të tillë duhet të bëhet nga nëpunësi civil i rangut më të lartë. Në këtë, rast ky kriter nuk është respektuar nga KKTK”, vazhdon raporti./Insajderi.com