I dyshuari për krime lufte në Kosovë Darko Tasiq mbetet në paraburgim

I dyshuari për krime lufte në Kosovë Darko Tasiq mbetet në paraburgim

Gjykata e Apelit e Kosovës e  ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit  të të pandehurit Darko Tasiq, kundër aktvendimit mbi caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prizren me 23.11.2017.

“D.T. po dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale se në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale ‘Krime Lufte kundër Popullsisë Civile’, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së, e paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe nenin 3 të përbashkët, të katër konventave të Gjenevës”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Gjykata e Apelit vlerëson se, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale në fjalë, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tij, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale./Insajderi.com