I dyshuari për kërcënim ndaj kreut të OShP-së, kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Ministrisë

I dyshuari për kërcënim ndaj kreut të OShP-së, kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Ministrisë

Kompania “Sallahu” pronari i të cilës dyshohet se e kishte kërcënuar kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurirmit, ka ngre kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në kallëzimin penal, i cili nesër do t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore të Prishtinës, janë përfshirë menaxheri i prokurirmit në këtë Ministri, Betim Reçica, kryetari i komisionit të rivlerësimit të tenderit, si dhe anëtarët e këtij komisioni, Leonora Bacaj dhe Mirdit Emini.

Kompania “Sallahu” këta persona i akuzon për “cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike”, “manipulim me prova”, “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në kallëzim penal thuhet se, për shkak të dyshimit të bazuar se si anëtarë të Komisionit për rivlerësim, duke prezantuar rrejshëm gjendjen faktike lidhur me pjesëmarrjen e NNT “Sallahu” në tenderin për Autoudhën A7, në bashkëveprim apo si grup kriminal kanë kryer veprat penale të lartcekura.

Gazeta Insajderi kishte shkruar se si pronari i kompanisë “Sallahu”, Naim Sallahu dhe kushëriri i Sami Lushtakut, Shaban Lushtaku, e kishin ndalur kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Blerim Dina, pas orarit të punës derisa ai po shkonte në shtëpi.

Dina kishte thënë se dy personat në fjalë, ndaj të cilëve ka hapur edhe rast në Policinë e Kosovës, e kanë ndalur në rrugë dhe i kanë kërkuar që të shkojnë te Sami Lushtaku për ta takuar.

“Njëri nga ta është Naim Sallahu, pronar i kompanisë ‘Sallahu’ dhe tjetri është Shaban Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut. Ata dojshin me zor me më qu me pi kafe me Sami Lushtakun”, kishte thënë Dina për Insajderin. Madje ai kishte thënë se e di edhe arsyen e këtij kërcënimi.

“Është një ankesë në OSHP e bërë nga disa kompani kundrejt një tenderi 21 milonësh në Ministrinë e Infrastrukturës që e ka fituar kompania ‘Sallahu’ pronë e Naimit, njërit prej personave që më kanë ndalur në rrugë”, kishte thënë ai.

Por Sami Lushtaku i kishte mohuar akuzat duke thënë se nuk e njeh as Dinën e as biznesmenin Sallahu.

Por për cilin tender bëhej fjalë?

Insajderi ka gjetur se bëhej fjalë për tenderin për ndërtimin e segmentit “Kyqja në R6 (autostrada “Arbër Xhaferri”) deri në Bresalc, në gjatësi prej 21.6 kilometrash të autostradës “Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë”.

Ky tender ishte shpallur me 21 maj të këtij viti dhe lotin 5 në vlerë prej 21 milionë eurosh e kishte fituar kompania “Sallahu”, pronari i së cilës, Naim Sallahu, sipas Dinës, ka qenë një nga personat që e ka ndalur në rrugë për ti kërkuar që të shkojë me zor ta takojë Sami Lushtakun.

Për këtë LOT të 5-të të këtij tenderi kishin konkurruar fiks 16 kompani por kompania “Sallahu” e ka fituar tenderin me një ofertë prej 21 milionë e 478 mijë eurosh. Çmimi i kësaj kompanie nuk ishte më i ulëti. Aty ka pasur kompani që kanë ofertuar edhe me 11 milionë euro.

Pas dhënies së tenderit për kompaninë “Sallhu”, 13 kompani të tjera janë ankuar për parregullsi në këtë tender.

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik sipas procedurave të rregullta ka angazhuar një ekspert për të shqyrtuar ankesat.

Insajderi merr vesh, se eksperti i OSHP-së ka rekomanduar që tenderin të cilin e kishte fituar kompani “Sallahu”, të anulohet. Por për anulimin e tenderit, vendos Organi Shqyrtues i Prokuroimit.

Kjo dyshohet të jetë edhe arsyeja pse pronari i kompanisë “Sallahu” dhe kushëriri i Lushtakut, e kanë ndalur shefin e OSHP-së, për ti bërë presion që përkundër rekomandimit të eksperit të OSHP-së që tenderi në fjalë të anulohet, një gjë e tillë të mos ndodhë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ende nuk e ka caktuar datën e mbledhjes ku do të diskutojë për këtë tender dhe ku pritet të merret edhe vendimi nëse tenderi në fjalë do të anulohet apo jo./Insajderi.com