Dyshohet se dy persona dogjën veturën e gruas së Memli Krasniqit

Dyshohet se dy persona dogjën veturën e gruas së Memli Krasniqit

Vetura e bashkëshortes së ministrit Memli Krasniqi është djegur nga dy persona.  Kjo ka qenë pjesë e deklaratës së dëshmitarëve të rastit, thuhet nga Policia e Kosovës.

Sipas informatave të para,  vetura është djegur rreth orës 1 të mëngjesit, pasi është sulmuar me shishe molotovi.

“E kemi hapë një rast dëmtim apo asgjësim i pasurisë. Bëhet fjalë për një veturë të markës Pasat dhe një Reaulto Clio, që të dyja me targa të Kosovës. Pasati është i djegur ndërsa Renault Clio është i dëmtuar, ka qenë i parkuar në afërsi të Pasatit,” ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Kosovës.

Vetura Pasat është pronë ë familjes Krasniqi, dhe ka qenë i parkuar afër banesës ku ata jetojnë.

“Jemi duke u marrë me rastin. Ekipet kanë dalë në vend të ngjarjes, forenzika, zyrtari për hulumtime të shkaqeve të zjarrit nga komuna e Prishtinës dhe po presim ekzaminimin e automjetit”, ka thënë Ahmeti.

Ministri Krasniqi është sulmuar edhe para disa javësh me vezë në Prishtinë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka arritur tu shpëtojë goditjeve, por shoqëruesi i tij është përleshur me sulmuesit.

Bashkëshortja e tij, Meliza Krasniqi është shprehur e tmerruar me sulmin që është kryer mbi pronën e saj private.

“Qysh bre nuk ju vjen marre, a jeni njerëz ju a çka”?, ka shkruar ajo në Facebook dy orë pas incidentit.

“Është vetura jem o njerëz, veturën të cilën e vozis unë jo Memli. Me veturën të cilën i bart fëmijët e mi! Fëmijët që janë të moshës 7, 3 e 2 vjeç që nuk punojnë se janë në çerdhe e në shkollë, që nuk janë me askënd, që nuk i kanë bo kurrkujt kurgjo”, ka shkruar ajo.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhje me këtë rast, të cilin e ka quajtur si “sulm të paprecedent kriminal.”

Sipas qeverisë, “sulmi është në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër bartësve legjitim të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit.”

/Insajderi