Dyshohen për “sulm ndaj personit zyrtar”, arrestohen katër persona

Dyshohen për “sulm ndaj personit zyrtar”, arrestohen katër persona

Policia e Kosovës ka arrestuar katër personat të dyshuar për veprën penale  ‘sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’.

Ngjarja ka ndodhur në pasditen e së martës në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Mitrovicë, me ç`rast policia kishte ndaluar një veturë, pasi që drejtuesi i saj kishte kryer kundërvajtje të cilit i ishte shqiptuar gjobë përkatëse.

Sipas raportit të policisë gjatë kohës së shqiptimit të gjobës ndaj të dyshuarit Rr. B. 42 vjeçar, në vendngjarje kishin ardhur edhe tre të dyshuarit tjerë F. B. 31 vjeçar, K. B. 19 vjeçar dhe L. B. 16 vjeçar, të cilët kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Si pasojë e lëndimeve të marra  tre zyrtarë policorë kanë kërkuar tretman mjekësor.

Ndërsa tre të dyshuarve pas procedurave intervistuese me vendim të prokurorit publik, u është caktuar masa e ndalimit policor, kurse i dyshuari L. B. është liruar për procedurë të rregullt./Insajderi.com