Dyshimet për konflikt interesi ndaj anëtarit të bordit të ARKEP-it

Dyshimet për konflikt interesi ndaj anëtarit të bordit të ARKEP-it

Një anëtar i bordit të ARKEP-it dyshohet se ka bërë konflikt interesi duke mbajtur dy pozita zyrtare në të njëjtën kohë. Pas emërimit të tij si anëtar bordi i këtij institucioni, Shqiprim Pula kishte vendosur vetëm të pezullojë një funksion tjetër brenda të njëjtit institucion, veprim ky që është në kundërshtim me ligjin.

Shqiprim Pula, anëtar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka qenë cak i hetimeve të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) meqë dyshohej se është gjendur në konflikt interesi pas emërimit të tij në këtë pozitë.

Që kur u emërua në këtë pozitë në dhjetor 2015 e deri në janar të këtij viti, Pula kishte mbajtur dy pozita brenda këtij institucioni – anëtar bordi si dhe Shef i Departamentit Ligjor.

Në fakt, pas emërimit të tij në bord, ai ka kërkuar që t’i pezullohet funksioni në departamentin ligjor, por një gjë e tillë nuk ka qenë në përputhje me ligjin.

Neni 76 i Ligjit për Komunikime Elektronike – në bazë të të cilit bëhet edhe emërimi i anëtarëve të bordit të ARKEP-it – thotë se secili anëtar i bordit, pas emërimit, duhet të jap dorëheqje nga çdo post ose funksion zyrtar.

Por, ai ka mbajtur këto pozita deri në janar të vitit 2017, kur kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, kishte vendosur që të revokojë vendimin për pezullimin e dakorduar të marrëdhënies së punës së Pulës si shef i Departamentit Ligjor, duke konsideruar se një akt i tillë administrativ është me “pavlefshmëri absolute”.

“Shqiprim Pula është i obliguar të zbatojë Ligjin për Komunikime Elektronike dhe të jap dorëheqje nga funksionet e tjera menjëherë pas marrjes së detyrës, e jo të bëjë pezullimin e marrëdhënies së punës,” thuhet në vendimin e kryetarit të bordit të ARKEP-it, të cilës i është referuar AKK në raportin e saj lidhur me këtë rast.

Megjithatë, AKK ka vlerësuar se një vendim i tillë i ARKEP-it, konkretisht i kryetarit të bordit, ka mundësuar që  të tejkalohet kjo situatë “dhe tashmë nuk ka dyshim të bazuar për konflikt interesi”./Insajderi.com