Dybala thotë se Milan vetëm ankohet

11.03.2017 09:18
Dybala thotë se Milan vetëm ankohet

Pas protestave në fushë nga ana e Milanit, për penalltinë e akorduar për Juven në minutën e 95-të, nga gjyqtari i takimit, polemikat kanë vazhduar edhe me deklaratat e pas ndeshjes.

Këtë herë ka qenë autori i realizimit të 11 metërshit, Paulo Dybala, ai që ka sulmuar milanistët.

“Milani ka 6 vite që ankohet. Të gjithë flasin për penalltinë e dhënë në fund dhe asnjë nuk penalltinë që na u mohua në pjesën e parë, pas ndërhyrjes së Zapatës. Duhet të jemi më të ndershëm. Kur na ndodh neve, thjesht ulim kokën dhe punojmë”, komentoi sulmuesi argjentinas polemikat e pas-ndeshjes.

Dybala, i cili kishte humbur penalltinë e fundit përballë Donnarummës, në ndeshjen e Superkupës italiane, ka një koment edhe për këtë.

“Kam mbyllur një llogari të hapur, pas penalltisë së humbur në Supërkupë. Këtë herë godita shumë më mirë dhe shënova”, tha ai.

Në fund sulmuesi juventin premtoi se, pas ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtares, do të ketë të reja edhe për rinovimin e tij me ekipin bardhë e zi.