Dybala bëhet si Messi, Juventus “shkatërron” Barçën!

Dybala bëhet si Messi, Juventus “shkatërron” Barçën!

Juventus ka arritur një fitore historike, 3-0 ndaj Barcelona, e cila i vë bardhezinjtë e Massimilliano Allegri me një këmbë në gjysmëfinalen e Champions League.

Barça ka treguar se mund të përmbysë edhe katër gola disavantazh, si ndodhi në raundin e kaluar ndaj Paris SG, megjithatë ndeshja e parë në “Juventus Stadium” lë pak shpresa për katalanasit dhe italianët janë favoritë për të shkuar më tej. Heroi i “Zonjës së Vjetër” ishte Paulo Dybala, autor i dy golave në pjesën e parë.

Dybala e shënoi golin e parë, pas vetëm shtatë minutash lojë, kur pas topit të marrë nga Cuadrado, ai e mposhti portierin Ter Stegen me një goditje të saktë.

Në mesin e pjesës së parë, Buffon mbrojti portën e vendasve, pasi Iniesta u shfaq përballë tij, pas pasimit të marrë nga Leo Messi, dhe vetëm një minutë më vonë, bardhezinjtë goditën sërish me anë të Dybala.

Këtë herë argjentinasi e çoi topin në cepin e portës, i shërbyer nga Mario Mandzukic.

Dygolëshi i fundit i një futbollisti të Juventus në Champions kishte qenë ai i Tevez në vitin 2015. Në minutën e dhjetë të pjesës së dytë, kampionët e Italisë goditën sërish.

Këtë herë ishte Chiellini që fitoi duelin ajror me Mascherano dhe tundi rrjetën me një goditje të saktë me kokë, pas një goditje nga këndi.

Kjo ishte ndeshja e 48-të radhazi për Juventus që nuk pëson humbje në shtëpi. Ndeshja e kthimit do të luhet javën e ardhshme në “Camp Nou”.

Barcelona nuk arriti të gjente as golin që do t’i jepte një shpresë të vogël për ndeshjen e kthimit ku tanimë frymëzimi i vetëm do të jetë fitorja 6-1 ndaj PSG në 1/8-t e finaleve.

Skuadra e Luis Enrique pësoi humbjen e dytë radhazi, pas asaj në kampionat ndaj Malaga, teksa trajneri ka deklaruar se do të largohet në fund të sezonit.

Nga ana tjetër, Juve është shumë pranë të qenit mes katër ekipeve më të mira të Europës dhe ëndrra Champions po bën e prekshme./ telesport.al