Dy anëtarët e Vetëvendosjes nga të cilët u distancua partia

Brenda tre muajve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga komentet e bëra prej dy anëtarëve të saj: asamblistit në Komunën e Prishtinës Sadri Ramabaja, dhe kandidatit për kryetar të Rahovecit Visar Korenica.

Dy anëtarët e Vetëvendosjes nga të cilët u distancua partia

Qëndrimet anti-semite të kandidatit për kryetar të Rahovecit nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica kanë detyruar sot partinë e tij që të distancohet nga këto qëndrime.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se qëndrimi i Visar Korenicës, “i shkruar më parë për Izraelin, as nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, as nuk është i drejtë dhe as i pranueshëm”.

Korenica kishte shkruar në Facebook, se “kombi i Izraelit duhet të zhduket”.

“Ai nuk përkon me konceptin politik të Lëvizjes, ky i fundit i bazuar në parimet e të drejtave universale të barazisë e bashkekzistencës paqësore mes popujve. Mospajtimi me politikën e caktuar shtetërore nuk guxon të eskalojë në thirrje për zhdukjen e një shteti”, shkroi Ymeri.

VV distancohet nga pohimet e Korenicës, por e lë kandidat për kryetar komune

Por, kjo nuk ishte hera e vetme që Lëvizja Vetëvendosje është detyruar të distancohet nga një anëtar i saj, brenda tre muajve të fundit.

VV ishte distancuar edhe nga qëndrimi i anëtarit të partisë, Sadri Ramabaja, i cili përmes një postimi në Facebook, kishte fyer besimtarët myslimanë të Kamenicës gjatë muajit të Ramazanit, duke i quajtur ata “haxhiqamilë”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! distancohet nga gjuha e përdorur dhe qëndrimi i Ramabajës. Shprehim keqardhje për të gjithë ata që janë ndjerë keq nga reagimi i Ramabajës, si dhe mbesim të përkushtuar dhe angazhohemi që liria e besimit të jetë e pacenueshme”, thuhet në njoftimin e VV-së. /Insajderi.com

Vetëvendosje distancohet nga ofendimet e kandidatit të saj ndaj myslimanëve