Dy vjet pas themelimit dhe pas raportimit të Insajderit, Fondacioni “SunnyHill” ndan fondet e para

Insajderi ka raportuar në qershor të këtij viti për bordin politik që "fshihet" prapa fonadacionit "SunnyHill" dhe për faktin që asnjë aktivitet nuk ishte zhvilluar nga ky fondacion. Fondacioni ishte prezantuar në vitin 2016 kur këngëtarja prishtinase Dua Lipa që sapo ishte bërë e famshme, edhe për shkak të përkrahjes nga audienca shqipfolëse, kishte mbajtur një koncert në Parkun e Gërmisë.

Dy vjet pas themelimit dhe pas raportimit të Insajderit, Fondacioni “SunnyHill” ndan fondet e para

Rreth gjashtë javë pasi Gazeta Online Insajderi raportoi se fondacioni “SunnyHill” – i udhëhequr nga Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës – nuk kishte kontribuar asnjë cent për t’i ndihmuar të rinjve kosovarë, sot për herë të parë pas dy vitesh ekzistence “SunnyHill Foundation” ka ndarë fondet e para.

Në një konferencë për shtyp, në të cilën vëmendja kryesore u fokusua tek artistja kosovare Dua Lipa, e cila erdhi të mërkurën në Prishtinë, udhëheqësi i “SunnyHill Foundation” Dukagjin Lipa prezantoi 100 mijë euro fonde të ndara për shtatë Organizata Jo-qeveritare, pesë evente kulturore dhe po ashtu për pesë shkolla të muzikës nëpër Kosovë.

“Shtatë OJQ dhe pesë aktivitete kulturore, si dhe pesë shkolla që përfitojnë nga fondacioni. Kështu që, për krejt përfituesit, kemi kënaqësinë shumë të madhe me nda buxhetin e fondacionit ‘SunnyHill Foundation'”, deklaroi sot Dukagjin Lipa në konferencën për shtyp.

Pesë Organizatat Jo-Qeveritare që përfituan nga fondacioni “SunyHill” janë: Down School Kosova, Instituti Ndërkombëtar për Intelegjencë ‘Atomi’, Fondacioni ‘Together’, organizata ‘Care for Kosovo Kids’, organizata Pema dhe Handikos.

Fonde u ndanë edhe për pesë aktivitete kulturore që organizohen në Kosovë. Eventet kulturore që përfituan fonde nga “SunnyHill” janë: Down Fest, Chopin Piano Fest, Kosovo KamerFest, Teatri Dodona. Ndërkaq, “SunnyHill” ndau fonde edhe për Shkollën e Muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë, ‘Tefta Tashko’ në Mitrovicë, ‘Çesk Zadeja’ në Ferizaj, Shkolla e Muzikës Gjilan dhe ‘Halit Kasapolli’ në Pejë.

Insajderi ka raportuar në qershor të këtij viti për bordin politik që “fshihet” prapa fonadacionit “SunnyHill” dhe për faktin që asnjë aktivitet nuk ishte zhvilluar nga ky fondacion. Fondacioni ishte prezantuar në vitin 2016 kur këngëtarja prishtinase Dua Lipa që sapo ishte bërë e famshme, edhe për shkak të përkrahjes nga audienca shqipfolëse, kishte mbajtur një koncert në Parkun e Gërmisë.

Bordi politik prapa koncertit të Dua Lipës dhe fondacioni që nuk i ndihmoi askujt

Atë kohë koncertin e kishte organizuar Komuna e Prishtinës me në krye me Shpend Ahmetin dhe kompaninë e babait të Dua Lipës “Republika” Dukagjin Lipa që tashmë drejton Fondacionin “SunnyHill”.

Komuna e Prishtinës kishte mbuluar shpenzimet teknike të organizimit të koncertit, që sipas babait të Dua Lipës po organizohej që të mblidheshin para për bamirësi.

“Dëshira e Duas ka qenë që të gjitha të mirat materiale nga shitja e biletave dhe sponsorëve do të shkojnë në Fondacion të bamirësisë që quhet ‘SunnyHill’. Të gjitha të mirat materiale do të shkojnë për bamirësi në Kosovë”, kishte thënë Dukagjin Lipa në vitin 2016.

“Një javë ose dy javë pas përfundimit të faturimit, do të dalim me shifrën e plotë të mbledhuna për SunnyHill dhe do të qesim një ARF për ndihmë të rinjëve dhe pjesës së margjinalizuar kosovare që ka nevojë për ndihmë. Kjo është kërkesë e Duas”, kishte shtuar ai.

Por deri ditën e sotme, ky Fondacion nuk kishte bërë asnjë publikim të të dhënave nga shitja e biletave e as nuk kishte bërë ndonjë ndarje të fondeve për të ndihmuar të rinjtë dhe pjesën e margjinalizuar, siç thoshte Dukagjin Lipa në vitin 2016.

Krejt kjo ka ndodhë në drejtimin e Bordit të Fondacionit, teksa në plan të dytë, është punuar për të organizuar një festival që quhet njejtë si Fondacioni “SunnyHill”. Përsëri protagonistja e festivalit sikurse koncertit është Dua Lipa, teksa biletat për dallim nga viti 2016 janë rritur ndjeshëm. /Insajderi.com