Dy skenarë të mundshëm politikë evropianë

Dy skenarë të mundshëm politikë evropianë

Bernard Gueta

Janë vetëm hipoteza, por ia vlen të merren seriozisht, për shkak se janë mjaft të besueshëm. Hipoteza e parë është që Emmanuel Macron do të bëhet presidenti i ardhshëm i Francës, ndërsa e dyta është se në Gjermani, kandidati socialdemokrat Martin Schulz do të fitojë kundër Angela Merkelit në zgjedhjet e shtatorit të ardhshëm, duke u bërë kancelari i ri i Gjermanisë.

Është e mundur që gjërat të shkojnë vërtetë kështu, për shkak se socialdemokratët gjermanë kanë fituar 12 pikë në sondazhe në vetëm një muaj, dhe në 19 shkurt ia kaluan edhe kristian demokratëve. Për momentin, avantazhi i tyre është reduktuar në një për qind, por është e qartë se ata kanë erën në favor, edhe për shkak se mund të bëjnë aleancë me të Gjelbërit dhe të majtën radikale Die Linke, ndërsa e djathta ka të aleatë potencialë, vetëm liberalët.

Sa i përket koalicionit parlamentar – që është çelësi për çdo gjë në Gjermani, sepse kancelari nuk zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë universal, por e zgjedhin deputetët – e majta gjermane ka një avantazh të veçantë mbi konservatorët. Pas shtatë muajsh Martin Schulz, ish-President i Parlamentit Europian, mund t’i zërë vendin Angela Merkelit. Në të njëjtën kohë, Emmanuel Macron mund të “pushtojë” Elysee në pesë muaj më vonë, pasi aleanca e tij e re me Bayroun mund t’i bëjë të mundur, që të kalojë François Fillon në raundin e parë dhe të bëhet, në raundin e dytë, kundërshtari i Marine Le Pen, me shanse të mira për fitore.

Një kontratë qeverisjeje alla gjermane

Megjithatë, ende nuk ka asgjë të sigurt. Sondazhet fotografojnë vetëm një moment dhe para zgjedhjeve franceze dhe gjermane, çdo gjë mund të ndryshojë. Por, çfarë do të ndodhte, nëse këto supozime do të konfirmoheshin?

Është e thjeshtë. Franca do të bëhej Gjermania, dhe anasjelltas. Një aleancë mes rrymave të qendrës dhe atyre të moderuara do të merrte kontrollin e Francës, dhe në këtë vend, ku kufiri mes të djathtës dhe të majtës konsiderohet i pakapërcyeshëm, do të qeverisin së bashku forca që nuk janë as të djathta, as të majta, me kushtet e vendosura nga François Bayrou dhe të pranuara nga Emmanuel Macron. Kontratë qeverisjeje alla gjermane, pra.

Në Paris do të ndodhte, ajo që në Berlin është krejtësisht normale. Në të kundërt, Gjermania, një vend që ka hedhur poshtë traditën e konsideruar franceze dhe arkaike, atë të një konfrontimi mes të majtës dhe të djathtës, mes konservatorëve të qendrës së djathtë dhe një të majte pluraliste, do të qeverisej nga socialdemokratët, të cilët kanë bërë një kthesë të qartë majtas.

Martin Schulz dhe Emmanuel Macron mund të kuptohen shumë mirë, sepse përmes një pale të tretë, që është François Bayrou, kanë të përbashkët lidhjen me unitetin e Evropës dhe janë të vendosur për të ripërtërirë popullaritetin e Unionit, duke krijuar një politikë të përbashkët për mbrojtjen, harmonizuar politikat fiskale dhe sociale, si dhe shëndoshur financat publike, duke garantuar investime për të ardhmen. Janë spekulime sigurisht, por nëse bëhen realitet, do t’u hapin dyert ndryshimeve të mëdha. /France Inter/ www.bota.al