Dy shtetas të Shqipërisë kapen në kufi me 201 paketime marihuanë

Dy shtetas të Shqipërisë kapen në kufi me 201 paketime marihuanë

Policia kufitare ka pasur sasi droge në dy raste të ndara, njëra në Vërmicë, kurse tjetra në pikën kufitare në Kullë.

Rasti i parë ka ndodhur dje rreth orës 10:15 në pikën kufitare në Vërmicë. “Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë, pasi që i njëjti është hasur duke kaluar kufirin në mënyrë ilegale. Gjatë kontrollit fizik, te i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 10 gram. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Në rastin tjetër në pikën kufitare në Kullë dje pasdite janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shqiptarë, shtetas të Shqipërisë pasi që gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po udhëtonin ata, janë gjetur dhe konfiskuar 201 paketime me peshë 53 kg e 288.8 gr. me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

“Me urdhër të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, raporton policia.