Dy presidentët parashikojnë OSCAR për filmin “Shok’

28.02.2016 14:10
Dy presidentët parashikojnë OSCAR për filmin “Shok’

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe ai në ardhje Hashim Thaçi kanë zgjedhur Facebook-un për të shprehur bindjen e tyre se filmi “Shok” do të fitoj çmimin Oscar, në ceremoninë  e natës së sotme.

Atifete Jahjaga, presidente e vendit deri me 7 prill kur edhe pritet që të zëvendësohet nga Thaçi, ka thënë se filmi “Shok”, me regji dhe skenar të Jamie Donoughue ka fituar zemrën e botës e kësisoj shumë lehtë mund t’ia sjellë Kosovës OSCAR-in.

“I dëshiroj sukses ekipit të filmit Shok. Ky film për dramën njerëzore që e kaluam për ta fituar lirinë, tashmë e ka fituar zemrën e botës dhe shpresoj që sonte do ta sjellë në Kosovë Oscarin”, ka shkruar presidentja.

“Shok” është një film që trajton temën e okupimit në Kosovë në vitet e ’90, ku shoqëria e dy djemve testohet deri në kufizime derisa ata vazhdojnë betejën për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Me producentët Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott filmi është i nominuar për çmimin OSCAR në kategorinë e filmave të shkurtër.

Në këtë film luajnë aktorët kosovar: Fisnik Ademi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Eni Cani, Eshref Durmishi, Xhevdet Jashari, Astrit Kabashi, etj.

Se ky film është favorit për fitore, ka bindjen edhe presidenti në ardhje, Hashim Thaçi.

Ai madje ka shpërndarë një link të një teskti të “Los Angelos Times” ku filmi “Shok” cilësohet si favoriti për të fituar.

Për dallim prej Jahjagës, Thaç është përkujdesur që parashikimin e tij ta bëjë edhe duke u treguar pak melankolik

“Sonte e gjithë Kosova shikon dritat e Hollywood-it dhe natën e Oskarëve ku për herë të parë një film kosovar është i nominuar për çmimin më të madh botëror. Gazeta e njohur LA Times parashikon që filmi “Shok” të fiton. Ne i dëshirojmë sukses ekipit që punoi filmin me mjetet e fondit tonë filmik por me kreativitet dhe emocione të veçanta. Filmi ka hedhur dritë mbi një rrëfim të vërtetë tragjik nga historia jonë çlirimtare. Me fat sonte!”, ka shkruar Thaçi.

‘Shok’ është një koproduksion në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.