Dy persona dhe një parti – falënderimi i Pacollit për arritjen e marrëveshjes së demarkacionit

Dy persona dhe një parti – falënderimi i Pacollit për arritjen e marrëveshjes së demarkacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, pas arritjes së marrëveshjes së demarkacionit mes partive politike ka pasur një falënderim të veçantë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe zv/kryeministrin, Fatmir Limaj.

Fillimisht Pacolli ka thënë se një falënderim i madh shkon për LDK-në që funksionon në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që tanimë është arritur koncensusi i plotë për kalimin e demarkacionit dhe zgjidhjen e problemit të lëvizjes së lirë të qytetarëve. Një falënderim i madh shkon për LDK, si parti institucionaliste dhe që funksionon në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Pacolli po ashtu ka vlerësuar lartë punën e Veselit dhe Limajt duke i cilësuar si jashtëzakonisht të angazhuar në këtë çështje.

“Vlerësim i lartë për kryeparlamentarin Veseli që nuk u ndal asnjëherë në synimin e tij për unifikim dhe zgjidhjen e këtij problemi që ka ngulfatur vendin. Vlerësim i lartë për angazhimin e madh të Zv. Kryeministrit Limaj, kontributin e tij të jashtëzakonshëm, pa të cilin do të ishte shumë e vështirë”, ka shkruar Pacolli./Insajderi.com