Dy përballjet e ardhshme Kosovë-Serbi që mund të nxisin konflikte

Brenda një muaji Qeverisë së Kosovës i duhet të përballet me dy ngjarje të mëdha. Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës më 29 dhjetor të vitit të kaluar kërkon nga Qeveria që brenda muajit janar të këtij viti ta heq murin në veri. Kurse ultimatumi i dytë vjen nga Serbia. Zyrtarë të saj kanë thënë se, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe deri më 15 shkurt, atëherë këtë do ta bëjnë ata vetë duke shpallur autonominë e komunave veriore.

Dy përballjet e ardhshme Kosovë-Serbi që mund të nxisin konflikte

Qeveria e Republikës së Kosovës gjendet para dy ultimatumeve të mëdha, të cilat në fakt do të mund ta cenonin sovranitetin shtetëror të vendit.

Ultimatumi i parë është ai për rrëzimin e murit në veri, i ndërtuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut, pak përtej urës së lumit Ibër.

Ndërtimi i këtij muri, sipas zyrtarëve qeveritarë, ishte befasi, pasi nuk e kishin pritur. Kurse autoritetet në veri thoshin se ai mur ishte i paraparë me marrëveshjen për rivitalizimin e urës mbi Ibër i nënshkruar në Bruksel. Këtë e mohonte ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiti.

Ishte nisma e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili mblodhi nënshkrimet për mbajtjen e një seance në Kuvend pikërisht për murin.

Pas një debati të ashpër, rezoluta u miratua me shumicë votash. Në atë rezolutë kërkohej që muri në veri të rrënohet brenda muajit janar 2017.

Tash kur ka kaluar gjysma e muajit në të cilin pritet veprimi i Qeverisë, zyrtarët e saj ende janë në fazën e deklarimeve se ai mur do të rrënohet.

“Muri do të rrënohet”, kishte deklaruar vazhdimisht kryeministri Isa Mustafa.

Por ai dje tha se rrëzimi i tij është përgjegjësi e autoriteteve komunale, pasi ai është ndërtuar në territorin e saj.

“Është detyrë e Komunës që ta rrënojë murin, sepse është objekt që është në përgjegjësinë komunale”, ka thënë ai.

Megjithatë, Mustafa ka thënë se, nëse këtë nuk e bënë komuna, atëherë atë do ta rrëzojnë organet tjera të vendit.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili e pati udhëhequr seancën kur u miratuar rezoluta, po ashtu ka deklaruar se ai mur nuk do të ekzistojë.

Në një deklaratë dhënë sot për media pas mbledhjes së Kryesisë, nuk ka dhënë datë precize se kur do të hiqet muri. Madje ai ka përmendur datën 1 dhe 17 shkurt, edhe pse rezoluta e Kuvendit kërkon që kjo të ndodh brenda janarit.

“Murin do ta heqin Institucionet e Republikës së Kosovës. A do të ndodhë me një 1 shkurt apo me 17 shkurt, kjo do të ndodhë, jeni të sigurt për këtë”, ka thënë Veseli.

Por hiq më larg se sot, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ia ka bërë me dije Qeverisë që të mos provojë heqjen e murit me dhunë.

“Assesi të mos provohet që rrënimi të bëhet me dhunë”, ka thënë Rakiq.

Kërcënimi i Serbisë për themelimin e Asociacionit

Tjetër përballe që mund të nxit konflikt mes palëve ëshë funksionalizimi i Asociacionit të komunave të banuara kryesisht me serb.

Qeveria e Serbisë ka thënë se nëse institucionet e Kosovës nuk e themelojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe deri më 15 shkurt, atëherë zotimi i tyre është se këtë do ta bëjnë vetë. Kjo datë lidhet me Ditën e shtetësisë së Serbisë.

“Edhe një herë, zëshëm e qartë, porosis: Nëse Prishtina deri më 15 shkurt nuk e formon Asociacionin e Komunave serbe, atë do ta formojmë ne …”, kishte paralajmëruar Marko Gjuriq, shef i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai ka shtuar se kundëpërgjigja e autoriteteve do të jetë hiç më pak se sa shpallja e autonomisë së komunave në veri të Kosovës.

Themelimi i AKS-së, sipas ministres për Dialog, Edita Tahiri, do të ndodh vetëm atëherë kur të hiqet muri në veri.

“E kemi njoftuar Brukselin se pa u hequr muri dhe pa u kthyer përfaqësuesit e listës serb nuk do të fillohet ky proces”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Beogradi më së paku është i interesuar që ta themelojë AKS-së, për shkak se nuk ka kompetenca ekzekutive.

“Serbia ka ndërtuar këtë mur pikërisht për të bllokuar asociacioni, sepse Serbia e ka të qartë se Asociacioni  nuk do të ketë  kompetenca ekzekutive”, ka shtuar Tahiri.

Por si do të veprojë Qeveria nëse tejkalohen këto limite?

Faton Abdullahu, këshilltar i Kryeministri të Kosovës, Isa Mustafa,thotë se sikur për rastin e trenit provokues, ashtu edhe për veprimet e tjera destabilizuese, do të veprohet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovë. Ai ka thënë aspekti kohor i reagimit varet edhe nga shkalla e rrezikshmërisë.

“Duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, kështu reaguam kur ndalëm trenin provokativ dhe kështu do të reagojmë edhe sa i përket murit, si dhe  mendësisë e cila determinon qasje dhe veprime destabilizuese të cilat nuk janë  në të mirë të vendit. Sa i përket asaj se kur reagohet në aspektin kohor dhe si reagohet në aspektin teknik dhe strategjik ndaj këtyre provokimeve, krejt kjo kalkulohet pragmatikisht duke balancuar funksionalisht respektimin e ligjit, në raport me shkallën e rrezikshmërisë si dhe në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe faktorin ndërkombëtar konkretisht SHBA-s dhe BE-së”, ka thënë Abdullahu.

Ndërkaq analisti Imer Mushkolaj pohon se autoritete shtetërore duhet të ndërmarrin veprime serioze muajt në vazhdim.

“Shteti i Kosovës duhet të veprojë sipas Kushtetutës dhe ligjit. Muri duhet të rrënohet sa më shpejtë dhe krijimi i njëanshëm i Asociacionit duhet të shpallet i pavlefshëm. Çdo nënshtrim karshi veprimeve që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e vendit nënkupton dëm të madh për Kosovën dhe qytetarët”, ka thënë Mushkolaj duke shtuar se “vetëm me veprime serioze shtetërore mund t’i rezistohet ofensivës së Serbisë”./Insajderi.com