Dy muaj afat që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave – pastaj pritja bëhet më e gjatë

Dy muaj afat që Kosova të fitojë liberalizimin  e vizave – pastaj pritja bëhet më e gjatë

Kosova ka afat që brenda këtyre dy muajve të kryejë detyrat e shtëpisë, nëse dëshiron hyrjen në procedura për liberalizim të vizave.

Kjo përshkak se si ka bërë të ditur sot, raportuesja për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, gjatë muajit prill, Kosmisioni Evropian do të marrë një raport, në të cilin do të specifikohet nëse Kosova ka arritur progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Komisioni Evropian do të marrë një raport të progresit në muajin prill. Nëse aty janë rekomandimet pozitive, unë menjëherë do ta vendos këtë çështje për votim në parlament. Skenari ideal do të ishte që kjo të ndodhë para pushimit vjetor”, ka thënë Fajon për REL.

Por ka edhe tjera pengesa.

“Pas raportit, shtetet anëtare duhet të japin pëlqimin  tyre e më pas duhet të punojmë me ministrat në Këshillin e Evropës”, ka thënë Fajon.

Kosova nuk i ka punët mirë me disa vende të BE-së. Pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet. Ky do të jetë problem i madh që vendet sikurse Spanja, Greqia, Rumania, Qipro e Sllovakia të binden për liberalizim të vizave për kosovarët, raporton Insajderi.

Por, kjo nuk do të jetë pengesa e vetme.

Kusht për liberalizimin e vizave, është edhe përfundimi i kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Përkundër që Kuvendi i Kosovës, gjatë seancës së djeshme me 80 vota arriti më në fund që të ratifikojë marrëveshjen për pikën kufitare Kosovë-Mal i Zi, kjo temë po e pret nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për t’ia dhënë vulën e fundit.

Por, një pengesë për një gjë të tillë pritet që të jetë Lëvizja Vetëvendosje.

Pengesa që Lëvizja Vetëvendosje, mund t’ia bëjë kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për ta nënshkruar ratifikimin e demarkacionit, mund të humbë hapin për liberalizim të vizave.

Kryetari i Kuvendit, ka të drejtë që një ratifikim të tillë, si ajo e kufirit me Malin e Zi, ta nënshkruaj tek pas tetë ditësh nga seanca e ratifikimit, dhe këtë mund ta bëjë vetëm nëse nuk ka ndonjë konestim lidhur me këtë marrëveshje.

Por, jo vetëm kontestim, por Lëvizja Vetëvendosje, është duke përgatitur padi ndaj këtij ratifikimi.

Zyrtarë të kësaj partie, kanë bërë të ditur për Insajderi, se ata fillimisht do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese që ta pezullojë këtë ratifikim, duke ia pamundësuar Veselit që ta jep vulën përfundimtare për këtë temë.

Albulena Haxhiu nga kjo parti, është shprehur optimiste në arritjen e tentativës së tyre, pavarësisht se për të Gjykata Kushtetuese, në shumë vendime ka treguar që është e ndikuar politikisht.

Madje, Haxhiu tregoi se e gjithe procedura që nga momenti kur të dorëzojnë ankesën në Kushtetuese, e deri në momentin kur kjo Gjykatë të marr vendimin e saj qoftë për anulimin e këtij ratifikimi, apo jo, do të marr kohë mbi dy muaj.

E një kjo kohëzgjatje, mund t’ia rrezikojë vendit tonë hyrjen në procedura për heqjen e vizave.

E nëse Veseli nuk arrin ta nënshkruajë këtë ratifikim, atëherë akterët evropian, mund të mos e llogarisin si ështje të kryer, përderisa ajo vazhdon të jetë në Gjykatë Kushtetuese.

Dhe nëse Gjykata Kushtetuese për vendim e saj për këtë gjë, i duhen më shumë se dy muaj kohë, atëherë deri në fund të qershorit, do të mund të vazhdojë kjo temë të qëndrojë pezull.

Dhe se kjo  mund t’i humb vendit kohën kur deputetët evropian do të mund ta kishin përpara një propozim se a dëshirojnë të votojnë pro heqjes së vizave për kosovarët.

Shkak për këtë është se mbledhjet e Parlamentit Evropian, që janë paraparë të mbahen pas qershorit të këtij viti do të kenë agjendë të ngjeshur dhe që Kosova mund të mos jetë fare pjesë e diskutimeve.

Deputetët e Parlamentit Evropian, pritet që të mblidhen në këto data: 11 deri 14 qershor, 2 deri në 5 korrik, 10 deri më 13 shtator, 1 deri më 4 nëntor./Insajderi.com