Dy leksionet e Era Istrefit për skenën e muzikës shqiptare

Suksesi i Era Istrefit nga një yll në rritje në Kosovë në një yll të sapo lindur në botë, jep dy leksione të rëndësishme për skenën e muzikës komerciale shqiptare: se duhet me mbytë "shpirtin underground” nëse do sukses masiv dhe se si asnjë nga yjet e muzikës lokale shqiptare nuk mund të shes mend për sukses nëse bënë koncerte nëpër klubet e shqiptarëve nëpër botë

Dy leksionet e Era Istrefit për skenën e muzikës shqiptare

  1. Nga “Dudi” në një “kthesë ndërkombëtare”

A ju kujtohet kënga e parë e Era Istrefit? “Mani për Money” ku Era Istrefi i këndon dashurisë dhe parasë në një video ku ajo xhirohet nëpër pazarin e Prishtinës dhe në oborrin e “Dudit” një nga hapësirat “underground” në Prishtinë për të cilën pak veta e dinin! Ishte viti 2013 dhe Era Istrefi kishte vendosur të prezantohej me këngën e parë, e cila e bëri të cilësohej si një prej këngëtareve të reja urbane.

Prej asaj kohe e deri më tani Era Istrefi ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm njashtu sikurse “underground” në Prishtinë që tashmë ka vdekur.

“Dudi” ka qenë një hapësirë e vendosur një shtëpi e pabanuar me një oborr fantastik midis Prishtinës, i shfrytëzuar nga artistë të rinj dhe në të njëjtën kohë edhe si hapësirë për jetë nate. Por kjo nuk zgjati shumë sepse pronari vendosi që shtëpia e ngjyrosur me vizatime të ndryshme nga artistët lokal, bashkë me oborrin ku Era në videon  shihet teksa lazdrohet, të mbyllet për t’u bërë parking. Arsyetimi: fitimet me të madha, probleme më të vogla.

Nuk mund të cilësohet si fakt kyç për të treguar faktin se Era duhej të jepte dorëheqje nga ai stil i muzikës sikur kënga e parë, por është një detaj i rëndësishëm që shpërfaqet tek kënga “BonBon” e cila është e xhiruar pa kurrfarë ideje njashtu sikurse edhe kënga që është një prej me të këqijave nga këngët e mëparshme të Erës bashkë me “A po don”.

Pra Era ka mbijetuar dhe është bërë hit ndërkombëtar duke dhënë evoluar nga muzika që atë e ka identifikuar si një artistë në eksperimentim në një këngëtare pop-i e zakonshme por me “standarde ndërkombëtare”. Dhe normalisht me ndihmën e Instagramit duke u cilësuar si “vajza e Rihannes dhe Sia” dy yjeve botërore të muzikës.

“Cka është e pranueshme për mua mundet mos me qenë e pranueshme për publikun edhe cka është e pranueshme për publikun mundet mos me qenë e pranueshme për mua. Rëndësi ka që unë e shprehi vetën qajo që perime jam. Edhe nuk jam egoiste, mundohem me gjet mesin mes meje dhe tjerëve, me kap atë mesin e artë edhe me bo diçka edhe për të tjerët e jo veç për vete”, kishte thënë Era Istrefi në një intervistë të dhënë për “Prive” në korrik të vitit të kaluar.

Dhe Era duket sikur e ka kapur këtë mes pasi tashmë ka nënshkruar kontratë milionëshe me “Ultra Music” një prej shtëpive më të rëndësishme të muzikës në Amerikë dhe falë këtij mesi të cilin tash duhet ta perfeksionoj për shijen botërore.

Dhe tash që ajo ka famë përtej Ballkanit ( pasi në këtë regjion kishte arritur të bëhej e njohur me videoklipin e këngës “E dehun” një pjesë e të së cilës ishte xhiruar në objektin e papërfunduar të Kishës Ortodokse në Kampusin e Universitetit të Prishtinës duke ngjallur kështu reagimin e medieve dhe autoriteteve kishtare në Serbi që e quajtën videon blasfemi) shikimet e videove të saja janë rritur ndjeshëm. Ashtu sikurse edhe komentet në gjuhën shqipe pasi aty po komentojnë audienca ndërkombëtare e cila nuk do të ketë më mundësi të shoh e dëgjojë më Erën e “Mani për Money” apo “13” që mbetet një prej këngëve më të mira të saja.

  1. Koncert ndërkombëtar nuk njihet “Rinora 4”

Por duke lënë anash evoluimin e Era Istrefit deri tek fama ndërkombëtare, ajo është gjithashtu shembulli më i mirë që argumenton “lojën” e luajtur nga shumë yje të pop muzikës në Kosovë.

Era është një mësim për motrën e saj dhe për koleget e saja të deritashme. Skena e muzikës pop viteve të fundit ka qenë e bombarduar nga këngëtaret shqiptare që jetojnë jashtë Evropës. Qysh prej Genta Ismali që pati ardhur nga Amerika me “dridhe-dridhe” e që ende vazhdon me “shake it –shake it” e deri tek Dhurata Dora që së fundmi dhezi si këngëtare e ardhur nga jashtë. Duke mos harruar as Dafina Zeqirin apo Bleron që thoshin se lanë Suedinë për të kënduar në Kosovë e Shqipëri apo në vendet me audiencë shqiptare.

Të gjithë këta këngëtarë bashkë me shumë të tjerë sot nga mediat i serviren publikut si yje të muzikës pop por në fakt janë këngëtarë provincial pra me famë lokale të cilët këndojnë për një audiencë tepër të vogël,  edhe pse numri i klikimeve në internet tek videot e tyre  shkon qindra milion shikime.

Pra ajo çfarë po dua të them është se asnjë nga këta yje të muzikës shqiptare nuk ka çka me shit mend edhe me u fry për famë ose sukses të madh lokal dhe të arsyetojnë mungesën e famës ndërkombëtare me fjalitë sikurse “është shkaku i gjuhës” dhe “vendit të panjohur”.

Sidomos duke pasur parasysh faktin se shumica e këtyre yjeve në secilën këngë  kanë tekste në gjuhën angleze. Dhe mbi të gjitha se të gjithë këto yje lokale kanë hyr në treg pa diçka origjinale por me këngë e video gati të njëjta dhe me hite sezonale.

https://www.youtube.com/watch?v=NwbBf0-NWTw

Era, edhe pse ka dhënë dorëheqje nga ajo çfarë e ka bërë yll unik lokal është një tregues se sot në procesin e globalizimit ku secili i ri ka qasje në muzikë përmes një telefoni që mund ta marrë gjithkah, nuk mund të flasësh për sukses e famë nëse koncertet e tua nisin në Prishtinë, vazhdojnë në Tiranë e Shkup dhe përfundojnë në “Rinora 4” në Zvicër apo “Golden” në Gjermani. As në ndonjë diskotekë/restorant në Australi. Mund të këndosh në të gjithë botën por audienca është e njëjtë, lokale. Dhe ti je yll lokal.

Por Era gjithashtu nëse është mjaftueshëm e mençur mund ta përdorë famën e krijuar nga eksperimentimi i asaj “çfarë do ajo dhe publiku, por më shumë masa” për t’iu kthyer zanafillës së saj që duket sikur e ka identifikuar atë si artiste e pop muzikës që punon me artistë të tjerë në videot dhe performancat e saja.

Ashtu sikurse Rihanna dhe Beoynce që tek në kulmin e karrierës së tyre kanë filluar të bëjnë albume me muzikë super të mirë që në fakt është një rikthim tek ajo “çka ato duan duke ndryshuar atë çfarë do publiku”./Insajderi.com