Dy komunat që do t’i vizitojë Lladrovci në Austri, kanë 6 herë më pak banorë sesa Drenasi

Dy komunat që do t’i vizitojë Lladrovci në Austri, kanë 6 herë më pak banorë sesa Drenasi

Ramiz Lladrovci është nisur të dielën në një udhëtim zyrtar në Austri. Kryetari i Komunës së Drenasit, siç bëri të ditur zyra për media e komunës, ka planifikuar të vizitojë dy komuna të Austrisë: Weizin dhe Gleisdorfin.

Madje, u tha se Lladrovci do të bisedojë me dy kryetarët e komunave përkatëse për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik, administrativ e arsimor. Por, dy të dy komunat që Lladrovci do t’i vizitojë kanë shumë pak kapacitete. Ato janë komuna me më pak se nëntë mijë banorë.

Të dy komunat – ajo e Weizit dhe ajo e Gleisdorfit – pozicionohen në juglindje të Austrisë. Weizi numëron 8,919 banorë ndërsa Gleisdorfi, sipas regjistrimit të popullësisë së vitit 2016, ka një popullësi prej 5,869 banorëve.

Qyteti i Weiz

Të dy këto komuna kanë shumë më pak banorë sesa Komuna e Drenasit në Kosovë, e cila numëron 67 mijë banorë, sipas regjistrimit të fundit të popullësisë në Kosovë.

Pavarësisht kapaciteteve të vogla që kanë të dy komunat austriake të cilat do t’i vizitojë Lladrovci, kryetari i komunës së Drenasit është shprehur i gatshëm që ta binjakëzoi Drenasit me Weizin dhe Gleisdorfin.

“Do të diskutohen format dhe mënyrat e bashkëpunimit në shumë fusha; si Ekonomia, Administrata, Shërbimet Publike dhe Arsimi. Po ashtu dhe mundësia e binjakëzimit të qyteteve”, thuhej në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Gjithashtu gjatë këtyre ditëve Lladrovci do të takojë, biznesmenë dhe afaristë në Austri, siç ka njoftuar Komuna e Drenasit. Ai gjithashtu do mbajë një ligjëratë në Universitetin e Grazit. /Insajderi.com