Dy këshilltarët që braktisën shefat e tyre për Kadri Veselin

Nektar Zogjani

Nektar Zogjani Nektar Zogjani

24.03.2017 19:02
Dy këshilltarët që braktisën shefat e tyre për Kadri Veselin

Ish-këshilltari i presidentit Thaçi, Adri Nurellari, vetëm pak kohë pasi njoftoi se ka braktisur ekipin e presidencës, i është bashkuar Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Nurellari nuk është i vetmi këshilltar që së fundi është “joshur” nga Veseli, i cili duket se po synon postin e kryeministrit.

Në fillim të muajit mars, Adri Nurellari, tashmë ish-këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi publikisht se e ka braktisur ekipin e presidentit për t’iu rikthyer siç ka thënë ai, në mënyrë të papenguar debateve publike.

“Pra, do përpiqem që të bëj atë që më pëlqen më shumë dhe që mendoj se e bëj më mirë”, ka thënë Nurellari, teksa falënderonte kolegët e tij të Presidencës dhe lavdëronte Thaçin.

“Jam krenar që kam shërbyer për këtë periudhë të gjatë pranë politikanit shqiptar më të suksesshëm, i cili besoj se është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për çështjen kombëtare në historinë bashkëkohore të popullit shqiptar”, shkroi ai në Facebook.

Por, vetëm pak javë më vone, Nurellari tashmë njofton se ka marrë shtetësinë e Kosovës dhe i është bashkuar Kadri Veselit në kabinetin e tij.

Thotë se aspiron që të ketë “një karrierë aktive politike partiake në Kosovë” me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Duke pasur parasysh dimensionin delikat te paanshmërisë së presidencës, e gjykova më të arsyeshme largimin prej aty dhe përfshirjen drejtpërsëdrejti në angazhim partiak. Angazhimi politik partiak është pasioni kryesor imi dhe prandaj i jam bashkuar ekipit te kryetarit Veseli duke u bërë gjithashtu këshilltar në kabinetin e tij”, i ka thënë ai Insajderit.

Në llogarinë e tij në Facebook, Nurellari javëve të fundit ka qenë aktiv duke shpërndarë ngjarje nga aktiviteti politik i Kadri Veselit, i cili së fundi ka filluar një tur dëgjimi me qytetarët e Kosovës.

Veseli, që është kryetar i partisë më të madhe në vend, kohë më parë po ashtu ka prezantuar një platformë qeverisëse, duke treguar kështu qartazi  synimin që të marrë drejtimin e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme.

Njohës të çështjeve politike thonë se koalicioni PDK-LDK vështirë se mund të çojë deri në fund mandatin marrë parasysh dështimin për të votuar çështje me rëndësi në Kuvendin e Kosovës, siç është marrëveshja e demarkacionit kufitar me Malin e Zi.

Në këtë kontekst, duket se Kadri Veseli ka filluar të mendojë edhe për bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm.

Kohë më parë, ekipit të tij i është bashkuar edhe Edon Miftari, ish-këshilltar për siguri i kryeministrit Isa Mustafa.

Mediat raportuan në dhjetor të vitit të kaluar se Miftari kishte udhëtuar me Veselin në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Insajderi.com