Dy fjalë për shfaqjen “Arturo Ui”

Dy fjalë për shfaqjen “Arturo Ui”

Shekulli 21, në rrokullinë tonë, është shekulli i Arturo Uisë. Përkundër trazimit që mund t’ju shkaktojë, ju e njihni shumë mirë fytyrën e tij. Para se ta shihni në teatër, ju atë e kqyrni çdo ditë në ekranet televizive. Madje, tragjikisht edhe në jetën tonë të përditshme. Ju, tash e shumë vjet, me fytyrën e tij të përçudshme jeni mësuar. Aq sa më, ndoshta, nuk ju bën as përshtypje. Fytyrën e Arturo Uisë e të gangsterëve të tij i shihni jo veç në Kosovë, por gjithandej nëpër botë. Në pamjen e tyre origjinale apo edhe në formën e një kipci.

“Arturo Ui” u shkrua në vitin 1941 nga dramaturgu dhe regjisori i shquar gjerman e botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956) gjatë kohës së mërgimit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë). Ai, asokohe, përndiqej nga fashizmi dhe po e priste vizën për shpërngulje në SHBA. Edhe pse ngjarjet e kësaj drame janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë, janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të asaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Si e tillë, me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame.

Vetat, si gangsteri Arturo Ui dhe vartësit e tij, të tillë si: Ernesto Roma, Emanuel Gjiri e Xhuzepe Xhivola, apo të nënshtruarit e tij, të tillë si politikani dhe biznismeni Dogsboru, apo pronari i gazetës Injac Dëllfit, si dhe tregtarët dhe pronarët e trustit të lulelakrës, krejt këta janë karaktere të gdhendura me mjeshtëri. Me veprimet dhe ndodhitë e tyre nëpër të cilat kalojnë, ata e formësojnë mozaikun e plotë të karrierës dhe të historisë së bujshme e të dhunshme të një gangsteri politik e të bandës së tij. Dhe, ndryshe nga sa e kemi parë në teatrot tjera jashtë Kosovës, ku zakonisht kryerolin e kryegangsterit Arturo Ui e luajnë aktorët më në moshë e bukur me përvojë, në këtë shfaqje ky rol antologjik, për shumë arsye, e mbi të gjitha për shkak të talentit dhe energjisë së moshës, i është besuar aktorit 27 vjeçar, Bujar Ahmeti.

Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet e përçudshme nëpër botë. E, tragjikisht, edhe me Kosovën e mbasluftës e këndej. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë deri tani në Kosovë. Sivjet, për t’u inskenuar, përveç qëllimeve artistike e estetike, janë edhe të paktën dy arsye më shumë: 120 vjetori i lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetori i artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

P.S. Këtë shfaqje ua përkushtoj miqve të mi artistë, miqve të tjerë të njohur e të panjohur dhe krejt atyre që, me mbështetjen dhe përpjekjet e tyre, më ndihmuan e më dhanë më shumë guxim e besim, se unë, përkundër gjendjes së vështirë shëndetësore, jam në gjendje të vazhdoj të punoj e luftoj dhe ta bëj këtë shfaqje. Unë i besoj teatrit! Ju falemnderit!

(Bekim Lumi, Regjisor)