Dy “budallenj” ruajnë Skënderbeun, dy ministra debatojnë live për hajni

08.06.2018 14:37

Shoqëria tallet me Skënderbeun, duke u dhënë mundësi budallenjve ta nderojnë atë. Zyrtarët vjedhin në tenderë vorresh e memorialësh. Vjedhin në tenderë rrugësh, shkollash, ambulancash. Vjedhin aq shumë sa 53 milionë euro nuk i bëjmë hesap. Sepse shteti nuk konsiderohet si e mirë e përbashkët, por si plaçkë lufte të cilën e menaxhon fituesi.

Dy “budallenj” ruajnë Skënderbeun, dy ministra debatojnë live për hajni

Komedia më e mirë e kohëve të fundit nuk është shfaqur në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ajo, po jepet falas para Teatrit, krah shtatores së Skënderbeut.

Një “budalla” i ardhur nga Kanadaja, thotë se shpenzon para për ta ruajtur dhe nderuar heroin kombëtar, Gjergja Kastriotin. Nga 400 euro në muaj, pretendon se i paguan katër persona, që luajnë rolin e gardianëve.

Ekipi prej pesë budallenjsh, një që shpenzon para dhe katër që paguhen për këtë shfaqje, është perfekt. Serioz si vdekja, “gardianët” që “nderojnë” Skënderbeun, japin shfaqje në qendër të Prishtinës.

Kastriot Berishaj, që pretendon se është kryetar i Lëvizjes për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, ka marrë përsipër punë që nuk i takojnë atij.

“I pakënaqur” me trajtimin që po ia bën shteti – Skënderbeut, Berishaj tha se do të vazhdojë të paguaj njerëz për ta nderuar dhe ruajtur shtatoren e Skënderbeut.

Berishaj, paraqet dimensionin tjetër të keqpërdorimit të heronjve kombëtar. Dallimi mes tij dhe tjerëve që i keqpërdorin të vdekurit është i qartë: ai shpenzon para, ndërsa të tjerët vjedhin para.

Aktorët afër Skënderbeut, nxjerrin në skenë budallallëkun shoqëror, e jo të tyre personal. “Gardianët”, janë thjeshtë aktorë të sponsorizuar nga një mërgimtar nga Kanadaja, i cili tregimin personal se është pasanik ka zgjedhur ta ofrojë nëpërmjet një loje me Skënderbeun.

Sikur mos të mjaftonin vjedhjet në tenderë rrugës, shkollash, ambulancash, spitalesh, etj, vjedhja po aplikohet edhe në komplekse memoriale, e vorre.

Janë vjedhur para në memorialin e Mejës. Janë vjedhur para të ndara për kompleksin memorial, Adem Jashari, ndërkohë që rrënojat e mbetura nga lufta thuajse po shkatërrohen.

Kjo, ndodh sepse shteti dhe pasuria publike shihet si plaçkë lufte, mbi të cilën më së shumti kanë të drejtë fitimtarët.

Të tjerë aktorë që përbëjnë kabinetin qeveritar – po japin shfaqje pak metra afër shtatores së Skënderbeut.

Javë më parë kryeministri deshi të merrte një milion euro nga rezervat shtetërore, tashmë të shteruara për ceremonitë shtetërore të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Iu aprovuan vetëm 500 mijë euro – në mungesë të rezervave.

Ka më shumë se dy javë që Insajderi ka kërkuar qasje në dokumentet e shpenzimit të këtyre parave. Ende asnjë përgjigje. Burimet thonë se paratë ia janë dhënë një kompanie marketingu që udhëhiqet nga një bashkëpartiak i Haradinajt. Zyrtarisht, shteti nuk ka folur akoma. Dyshimet janë të errëta për mënyrën e shpenzimit të kësaj shume.

Derisa ata i keqpërdorin këto para,  “gardianët serioz”  vazhdojnë që të këmbëngulin në ruajtjen e shtatores së Skënderbeut. Pa fjalë e me qëndrim burrnorë, vazhdojnë t’i  bëjnë të qeshin kalimtarët.

Nuk janë të rrezikshëm. Për dallim prej tyre, dy burra të pushtetshëm në të njëjtën kohë zhvillojnë një komedi televizive. Të rrezikshme për qytetarët. Për buxhetin e shtetit.

Dy ministra, njëri në mandatin e kaluar në qeverinë e Isa Mustafës dhe tjetri në mandatin aktual të Qeverisë së Ramush Haradinajt, kanë dhënë një shfaqje televizive për mënyrën se si një kompani ndërtimi rrugësh, është kompensuar me nja 53 milionë euro.

Tema ishte shumë serioze që luhej nga dy komedianë pushteti. Asnjëri nuk thoshte se në gjithë këtë pazar me kompaninë Bechtel & Enka po ndodhë hajni, por keqmenaxhim.

Bëhet fjalë për keqmenaxhim të 53 milionë eurove. Ky keqmenaxhim në fakt është hajni klasike, të cilën më së miri e ka përshkruar kolegu, Vullnet Krasniqi me një status në Facebook: “Qysh more çohni i jepni 53 milionë euro në mënyrë të dyshimtë edhe e qitni me arsyetu, Pal Lekajn? Ky me 50 euro bllokohet në market…”

Ai që do të duhej të fliste është kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Më gjasë është njëri prej shikuesve të këtyre shfaqjeve komike, me pasoja të rënda për vendin. Asnjë deklarim nuk e ka bërë deri tash, ani se dyshimet janë të forta për mënyrën se si shteti po i humbë 53 milionë euro.

Plaçkitësit e shtetit nuk po ka kush t’i ndalë.

Shfaqja para teatrit e vënë në skenë nga “budallenj” të uniformuar nuk është aq e dëmshme për të mirat publike. Ajo, thjeshtë tregon përçudnimin tonë shoqëror. Është një mundësi talljeje me Skënderbeun.

Shfaqja brenda studiove televizive, është krejtësisht tjetër. Aty luhet me miliona…