Duka: Panucci trajneri i duhur, komunikoj vazhdimisht me De Biasin

27.11.2017 22:29
Duka: Panucci trajneri i duhur, komunikoj vazhdimisht me De Biasin

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dha një intervistë të gjatë, ku komentoi temat më aktuale të futbollit shqiptar, që lidhen me kombëtaren, kandidimin në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, akuzat për favorizime të klubeve të caktuara, ndikimin e futbollit në politikë, etj.

FSHF-ja ia besoi drejtimin e kombëtares shqiptare, Cristian Panuccit, një futbollist i madh, por një emër i ri në fushën e trajningut. Vetë Duka shprehet i kënaqur me zgjedhjen e Panuccit, ndërsa tregon edhe arsyet që e bindën t’i besojnë italianit.

“Kombëtarja shqiptare është një institucion solid, që do të vijojë ecurinë e mirë, pavarësisht trajnerit që e drejton. Jemi të kënaqur deri tani me Panuccin, të cilin e zgjodhëm pikërisht për faktin se është një njeri energjik, që nuk kënaqet me pak”, u shpreh kreu i FSHF-së.

Ish trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi u shkarkua sot nga klubi spanjoll, Alaves, ndërsa Duka konfirmoi se vijon të ruajë marrëdhënie të mira dhe të komunikojë shpesh me italianin.

“Vijoj të ruaj kontaktet dhe komunikimin e vazhdueshëm me De Biasin. Kemi folur edhe para se të firmoste me Alavesin, por edhe pas ndeshjes me Turqinë, ku i kishte pëlqyer shumë kombëtarja. Ai ka lënë gjurmë te Shqipëria, ndaj do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë tonë të futbollit”, tha Duka.

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk la pa komentuar edhe kandidimin e tij për t’u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku nuk ia doli dot të zgjidhet.

“Nëse do të isha zgjedhur, kjo do të ishte një arritje e madhe për futbollin shqiptar, por besoj se ndikuan disa faktorë, që nuk ia dola të fitoja. Së pari ishin akuzat për trukime, për Skënderbeun, që ndikuan, pasi bëhej fjalë për një klub të Federatës që unë drejtoj. Gjithashtu, ishin edhe disa indicie negative, të ardhura në adresë të UEFA-s, pikërisht nga Shqipëria. Gjithsesi, nëse do të zgjidhesha, do ta konsideroja sukses, por edhe tani nuk është se e konsideroj si humbje”, u shpreh Armando Duka.

Gjatë ‘qeverisjes’ së Dukës, shumë klube të mëdha ndër vite, si Dinamo, Elbasani, Tirana, etj., kanë mbetur jashtë Kategorisë Superiore, ndërsa të tjera si Vllaznia, ende nuk po arrijnë të jenë konkurruese. Vetë presidenti i FSHF-së shpjegoi se kjo lidhet me ndryshimin e sistemit të organizimit të klubeve.

“Tani të gjitha klubet kanë kaluar në shoqëri aksionere dhe ka ndryshuar tërësisht sistemi i organizimit të tyre. Tani rregullat e garës janë të barabarta për të gjithë dhe këtu kemi shembullin e Laçit, një skuadër modeste, me një buxhet të vogël, por që është i organizuar mirë dhe po ia del të jetë konkurrues në Superligë. Unë jam tifoz me Vllazninë në fakt, por besoj se duket qartë që shkodranët nuk kanë përfituar aspak nga kjo”, tha kreu i FSHF-së.

Po shtu ai komentoi edhe largimin e Rashicës nga Kombëtarja. “Rashica nuk u përfshi në listën e Kombëtares, dhe kjo ishte një zgjedhje e trajnerit. Përsa i përket largimit nga Kombëtarja, ky ishte një vendim i vetë lojtarit”,- tha Duka. /Supersport