Duka: Kombëtarja u “deh” nga Europiani

15.03.2017 17:11
Duka: Kombëtarja u “deh” nga Europiani

Në ambientet e Hotel Tiranës u mbajt Asambleja e Përgjithshme vjetore e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku u analizua puna e kryer gjatë vitit 2016. Presidenti Armand Duka, pasi përmendi arritjet e futbollit shqiptar, përmendi edhe problematikat e tij, si trukimi i ndeshjeve apo dhuna në stadiume.

“Ndeshjet e dyshuara për trukim kanë pësuar rënie të ndjeshme, por fatkeqësisht nuk kanë shkuar zero. Problematikë mbetet edhe sjellja e tifozerive. Grupime të ndryshme i tejkalojnë normat e caktuara duke bërë që gara të degjenerojë në dhunë. Për këtë arsye kërkohet bashkëpunim i policisë, klubeve dhe administratës së FSHF-së. Po përgatisim një kuadër të ri ligjor për të rregulluar këtë situatë”, tha Duka.

Padyshim që viti 2016 do të mbahet mend për suksesin historik të kombëtares shqiptare, me kualifikimin e saj në Evropianin e Francës.

“Në Francë, ne treguam se jemi rritur. Ndoshta, në eliminatoret e Botërorit ne kemi hyrë me “dehjen” që të sjell gëzimi për arritjen e një rezultati historik. Ndoshta ka munguar grinta në këtë fillim edicioni për të dhënë mbi 100% të mundësive tona. Mendoj se ka ardhur koha që të rizgjohemi”, u shpreh Duka.

Edhe trajneri De Biasi theksoi se suksesi në Euro 2016 duhet të jetë një shtysë për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar: “Suksesi që u arrit në Evropianin e Francës duhet të një një motiv më shumë për zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Kemi vërtet një kontigjent të kufizuar futbollistësh në krahasim me vendet e tjera, por kemi fantazinë dhe zemrën, të mjaftueshmne për të reduktuar diferencat në këtë aspekt”