Dua Lipa: Mezi po pres të vi në Kosovë

Dua Lipa: Mezi po pres të vi në Kosovë

Disa ditë para mbajtjes së koncertit në Prishtinë, Dua Lipa ka folur për ngjarjen të cilën e ka cilësuar si të veçantë për faktin se të hyrat nga shitjet e biletave do t’i dorëzohen një fondacioni për bamirësi që është krijuar nga veta këngëtarja.

Përmes një komunikate për media, organizatorët e koncertit që do të mbahet më 9 gusht kanë falënderuar edhe vullnetarët që po ndihmojnë organizimin e koncertit.

Në këtë kumtesë është bashkëngjitur edhe një përshëndetje e Dua Lipas për përkrahësit e saj.  Ajo ka thënë se mezi pret që të vijë në Kosovë.

“Një falënderim të veçantë për përkrahësit dhe organizatorët që po bëjnë punë të shkëlqyeshme për koncertin dhe në të njëjtën kohë po e ndihmojnë Fondacionin Sunny Hill ku 100 për qind e të ardhurave nga shitja e biletave do të shkojnë për bamirësi,” ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

“E di që Kosova e Prishtina do të jenë gjithmonë me mua.  Mezi pres që të jem me ju dhe të argëtohemi së bashku,” ka thënë këngëtarja nga Kosova që ka bërë famë edhe në skenën ndërkombëtare.

“Love you shumë, Dua”, ka shkruar ajo.

Koncerti i saj do të mbahet më 9 gusht në parkun e Gërmisë.  Në Prishtinë tashmë janë vendosur disa lajmërime për koncertin e saj dhe shitja e biletave do të filloj me 30 korrik./Insajderi.com