Drogë dhe thika në shkollat e Podujevës

Drogë dhe thika në shkollat e Podujevës

Në kuadër të punës policore, ku pikë synim është garantimi i sigurisë publike, sot njësitet policore të stacionit të Podujevës në tri shkolla të ndara  kanë arritur të gjejnë dhe sekuestrojnë substanca narkotike dhe mjete të rrezikshme.

Policia njofton se janë sekuestruar tetë thika, një boks i metaltë,  një shkrepse në formë pistolete

si dhe dy qese të substancës narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

“Personi të cilit i është gjetur substanca e dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Podujevë për përfundimin e procedurave të nevojshme policore”, njofton policia.

Vlen të theksohet se përveç Podujevës, plani operativ për sigurinë nëpër shkolla është duke u implementuar në të gjitha shkollat e rajonit të Prishtinës, që nga fillimi i shtatorit.

“Me gjithë prezencën e disa dukurive negative – incidenteve në shkolla dhe përreth zonave shkollore, mbështetur në vlerësimet e fundit analitike që i janë bërë situatës së sigurisë në Rajonin e Prishtinës, respektivisht në zonat e lartcekura, rezulton se siguria është brenda kufijve të arsyeshëm. Mirëpo kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve, posaçërisht këshillat e prindërve si dhe institucioneve relevante që bashkërisht të ndihmojmë në krijimin e një ambienti më të favorshëm, të qetë dhe sigurt”, thuhet në komunikatën e policisë.